E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti 2010-2011,Italia jep 110 muaj bursa për studentët shqiptarë



Jonida Tashi

Italia do të ofrojë 110 muaj bursa për studentët shqiptarë, gjatë vitit të ardhshëm akademik 2010-2011. Lajmi është bërë i ditur zyrtarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme italiane, e cila edhe këtë vit do t’u ofrojë shtetasve shqiptarë, 110 muaj bursash për t’u kryer pranë institucioneve shkencore italiane. Sipas njoftimit të posaçëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane, për shkak të disponibiletit të kufizuar ekonomik, për vitin akademik 2010-2011, mund të financohen vetëm bursa me datë fillimi 1 tetor 2010 deri më 30 shtator 2011.
Aplikimi
Për të përfituar nga bursat e studimit të ofruara nga pala italiane, kandidati duhet të plotësojë një formular interaktiv shumëgjuhësh, që gjendet në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane http://borseonline.esteri.it/borseonline/it/activate.asp, duke kërkuar në qoftë se është e nevojshme edhe ndihmën e Institutit Italian të Kulturës. Data e fundit e dërgimit telematik të formularit online është 31 mars 2010. Pasi të kenë plotësuar dhe dërguar nëpërmjet internetit formularët e tyre, shtetasit shqiptarë që nuk e kanë kaluar moshën 35 vjeç, mund të paraqesin pranë Institutit Italian të Kulturës në Tiranë brenda e jo më tej se data 19 qershor 2010 (do të merret parasysh vula e Postës) dokumentet e mëposhtme: formularin e shtypur në letër, të firmosur, me datë dhe me fotografi; kurikulum studimi (jo më tepër se 4 faqe) si dhe tituj të mundshëm shkencorë; për nëpunësit publikë, përfshirë këtu edhe pedagogët e universiteteve kërkohet letër nga superiori (shefi i departamentit, drejtori i Entit, etj.), duke motivuar kërkesën e bursës; letër prezantimi nga të paktën dy autoritete akademike shqiptare. Këto letra nuk janë të nevojshme në rast se kandidatët propozohen nga autoritete lokale; projekt i kujdesshëm dhe i detajuar, duke shpjeguar atë çfarë kandidati do të realizojë nëpërmjet kësaj burse si dhe objektivat që do të arrijë, duke përshkruar qartë institucionin pranë të cilit do të kryejë aktivitetin e tij si dhe kontaktet që do të ketë me personalitete shkencore dhe akademike; letër nga një pedagog ose ekspert italian i gatshëm të ndjekë kandidatin në aktivitetin e parashikuar në projekt.
Bursat
Ministria e Punëve të Jashtme italiane sqaron se bursat që do të jepen ofrohen për sektorët e mëposhtëm: kërkime, kurse pasuniversitare (doktoratura, master, specializime me përjashtim të disiplinave mjekësore), kurse të ndryshme (pranë akademive, konservatorëve, shkollës kombëtare të Kinematografisë), me një kohëzgjatje prej 3, 6, 9 ose 12 muajsh, si dhe kurse të gjuhës e kulturës italiane, për mësuesit e gjuhës italiane me një kohëzgjatje prej 1, 2 ose 3 muajsh. Aktivitete të tilla mund të zhvillohen pranë institucioneve të mëposhtme: universitete; institute të larta të formimit artistik e muzikor; Institutit të Restaurimit; shkollës kombëtare të Kinemasë; qendrave e laboratorëve të kërkimit; bibliotekave, arkivave, muzeve dhe institucioneve të tjera shtetërore. Me përjashtim të Institutit Universitar Europian, institucion universitar ndërqeveritar i lidhur me institucione komunitare, nuk mund të jepen bursa studimi për ndjekjen e kurseve pranë institucioneve të huaja edhe pse të vendosura në Itali si dhe pranë shkollave e laboratorëve privat jo të njohur nga shteti. Një vëmendje e veçantë do t’u rezervohet projekteve të kërkimit, në lidhje me bashkëpunimin bilateral midis dy vendeve, në sektorët e mëposhtëm: Gjuha e kultura italiane; Kooperimi ekonomik; Historia dhe marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë, në mënyrë të veçantë nga viti 1912 deri më sot; Arkeologjia; Muzika dhe aktivitete të tjera artistike; Urbanistika dhe Arkitektura; Progresi teknologjik; Turizmi si dhe Turizmi ekokompatibël; Shëndeti publik.

Dokumentet e aplikimit
Formularin e shtypur në letër, të firmosur, me datë dhe me fotografi
Kurikulum studimi (jo më tepër se 4 faqe) si dhe tituj të mundshëm shkencorë
Për nëpunësit publikë, përfshirë këtu edhe pedagogët e universiteteve kërkohet letër nga superiori (shefi i departamentit, drejtori i Entit, etj.), duke motivuar kërkesën e bursës
Letër prezantimi nga të paktën dy autoritete akademike shqiptare. Këto letra nuk janë të nevojshme në rast se kandidatët propozohen nga autoritete lokale
Projekt i kujdesshëm dhe i detajuar, duke shpjeguar atë çfarë kandidati do të realizojë nëpërmjet kësaj burse si dhe objektivat që do të arrijë, duke përshkruar qartë institucionin pranë të cilit do të kryejë aktivitetin e tij si dhe kontaktet që do të ketë me personalitete shkencore dhe akademike
Letër nga një pedagog ose ekspert italian, i gatshëm të ndjekë kandidatin në aktivitetin e parashikuar në projekt

24 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›