E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Celi 3”, më 6 mars do të zhvillohet faza e dytë e testimit



Faza e dytë dhe e fundit e testimit për marrjen e certifikatës “Celi 3”, të lëshuar nga Università për Stranieri di Perugia, do të nisë ditën e shtunë 6 mars, për të përfunduar ditën e enjte, 11 mars 2010. Për këtë, Instituti Italian i Kulturës ka përcaktuar oraret dhe qendrat për provimin e certifikatës së gjuhës italiane “Celi 3”, që do të zhvillohet më 6 mars të këtij viti. Kështu, sipas njoftimit zyrtar të këtij Instituti, në këtë provim, që organizohet nga Instituti Italian i Kulturës do të marrin pjesë plot 1194 kandidatë nga rrethe të ndryshme të vendit. Pavarësisht vendbanimit të kandidatëve, provimi do të zhvillohet për të gjithë në të njëjtën ditë dhe në kryeqytet. Për këtë, Instituti Italian ka bërë një grupim të kandidatëve nga rrethe të ndryshme që vendit, që do ta kryejnë provimin në një qendër të caktuar. Ndërsa porsa i prket rregullave të provimit, Instituti Italian i Kulturës ka bërë të ditur se për testimin me shkrim kandidatët duhet të paraqiten të shtunën në datën 6 mars 2010, sipas orarit të parashikuar pranë qendrave të caktuara dhe vendit ku kanë kryer pagesën e taksës së regjistrimit. Provimi do të zgjasë për rreth katër orë. Për t’u futur në provim, kandidatët, në momentin e hyrjes duhet të paraqesin disa dokumente të nevojshme. Kështu, për të rriturit, Instituti Italian i Kulturës ka vendosur që në momentin e hyrjes në provim, të paraqesin dokumentin e identifikimit ende të vlefshëm (pasaportë të firmosur, kartë identiteti ose patentën e re). Ndërsa përsa i përket rregullave që duhet të respektojnë kandidatët, sipas Institutit Italian, në provim do të punohet me laps të zi, pasi është i ndaluar përdorimi i stilolapsit. Po ashtu, në ambientet e provimit është e ndaluar futja e çfarëdolloj materiali si: libra, fletore, fjalorë si dhe celularë. Për pjesëmarrjen në provimin e certifikatës “Celi 3”, çdo kandidatët duhet të paguajë një faturë prej 55 eurosh si taksë regjistrimi te Instituti Italian i Kulturës dhe certifikimi i gjuhës do të bëhet nga Universiteti për të Huajt i Peruxhia-s në Itali. Ndërsa kostoja për studentin që do të përsërisë vetëm një provë është 40 euro.

24 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›