E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Si do të shkollohen fëmijët e mi, të gjithë i përbuzin"

24/02/2010 Fëmija me AIDS, nëna kërkon ndihmën e shtetit

ELBASAN- Nëna e vajzës Violeta thotë se e dinte që do të përballej me paragjykime dhe frikë, por që do të arrihej deri në refuzimin e vajzës në kopsht, këtë nuk e priste. Mjaft e shqetësuar ajo thotë se dy binjaket, njëra prej të cilave e infektuar tani rreth 5 vjeç e gjysmë nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra. “Unë kam lexuar dhe e di që fëmijët nuk i largon dot njeri nga ambientet publike. Sidomos kur dihet si transmetohet kjo sëmundje. Unë qëllimisht i lashë të rriteshin edhe pak dhe i çova këtë vit, por sërish u hap i njëjti problem. Unë nuk mund t’i ndaj vajzat, njërën ta mbaj e tjetrën ta çoj në kopsht. Ti njihet e drejta e fëmijëve dhe të merret masë ndaj edukatores. Të gjendet një zgjidhje për fëmijët e mi”. Kur e pyesim se çfarë problemesh të tjera po has me fëmijën e saj, Violeta thotë se sa herë që një grip qarkullon të parën që do të zërë është vajza e vogël, ndërsa ajo shkon në Tiranë ku bën kontrollin e fëmijës dhe merr medikamentet që e shoqërojnë jetën e vogëlushes së sëmurë. Kjo familje që ka hedhur në gjyq Ministrinë e Shëndetësisë pret procedurat e zgjatura për të fituar të drejtën. Infektimi i një foshnje u bë në vitin 2005 gjatë një transfuzioni gjaku në pediatrikun e Elbasanit. Gjaku rezultoi i infektuar dhe për pasojë u infektua një fëmijë dhe një i moshuar. Në atë kohë familja akuzoi shtetin. Një javë më parë është zhvilluar një takim me përfaqësues nga shëndetësia, punonjës social dhe nga arsimi. Të gjithë prindërit kanë refuzuar që vajza me AIDS të vazhdojë të mbetet në të njëjtin kopsht me fëmijët e tjerë. Propozimet e tyre ishin nga më të ndryshmet, por askush nuk pranon që dy binjaket të vazhdojnë në të njëjtin grup. Kur u ra dakord që nëna të shoqëronte fëmijët gjatë gjithë kohës, kjo ka zgjatur vetëm dy ditë, pasi sipas nënës së vajzës, edukatorja i ka thënë të qëndronte vetëm dy ditë e jo më shumë. Edukatorja ka kërkuar një punonjës social që të kujdeset për fëmijët. Në fund pas këtij takimi është vendosur nga përfaqësuesit e ministrisë dhe të Shëndetit Publik që derisa të merret një vendim nëna të shoqërojë dy binjaket në kopsht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›