Viti 2010, kurba e çmimeve të naftës i kthehet rritjes
Viti 2010 duket se, do të mbyllet me një kurbë vetëm në rritje për sa i përket çmimit të tregtimit me pakicë të hidrokarbureve në vendin tonë. Sipas një vëzhgimi për ecurinë e çmimeve të ndryshme të karburanteve për gjatë gjithë vitit 2010 rezulton se, që nga fillimi i këtij viti, çmimet e karburanteve me pakicë kanë njohur vetëm rritje, ndryshe nga tendenca me luhatje të forta në ulje –ngritje në tregjet ndërkombëtare. Viti 2010 nisi me një çmim nafte rreth 132 lekë për litër, për të pësuar një rritje graduale e më pas të menjëhershme në maj, ku shkoi 147 lekë për litër, kohë kur çmimi në bursa iu afrua 90 dollarëve për fuçi. Më pas, rënia në tregjet ndërkombëtare nuk u reflektua, për të vijuar sërish me rritje në javët e fundit, ku ky produkt po tregtohet deri në 153 lekë/litër në tregun vendas. Rritja nga janari deri në dhjetor 2010 është me 21 lekë/litri, apo rreth 16%. Aktualisht, çmimi i naftës në tregjet botërore ka shkuar në mbi 90 dollarë për fuçi, ndërkohë që leku gjatë këtij viti ka qenë pak a shumë i qëndrueshëm në raportet e këmbimit me dollarin në nivelin e 102-105 lekë për litër, me përjashtim të periudhës maj qershori që i kaloi 110 lekë për 1 dollar.