Viti 2011 ishte i Barcelonës, Uruguajit dhe kthetrave të korrupsionit
Në vitin kalendarik që do të lëmë pas katalanasit kanë qenë ekipi më i fortë i planetit, ndërsa Uruguaj theu hegjemoninë e Brazilit dhe Argjentinës në Amerikën Latine
Ryshfetet kanë bërë pis korridoret e FIFA-s dhe figura e presidentit Blater është njollosur kur Rusia dhe Katari fituan të drejtën për organizimin e botërorëve pas Brazil 2014
Futbolli në vitin 2011 u dominua nga ngjarjet jashtë fushës dhe jo nga ato në fushën e gjelbër. Barcelona dhe Lionel Mesi vazhduan të dhurojnë disa prej performancave më të bukura në historinë e futbollit, kurse Uruguaj la në hije Brazilin dhe Argjentinën në majën e futbollit të Amerikës së Jugut. Por lajmet kryesore të futbollit u përqendruan në akuzat për korrupsion dhe ryshfete ndaj FIFA-s.
Organizmi i futbollit botëror u sulmua nga akuza të rënda, ndërkohë që manovrat e prapaskenave dolën në dritë të diellit pas vendimit të FIFA-s në vitin 2010 për ti dhënë të drejtën e organizmit të Kupës së Botës vendeve si Rusia dhe Katari. Sep Blater u rizgjodh si president i pakundërshtuar i FIFA-s, por u desh të vinte fundi i këtij viti që Blater të paralajmëronte reformat e shumëpritura.
Pozicioni i Blaterit në krye të FIFA-s u sigurua pasi rivali i tij i vetëm për presidencën, Muhamed bin Hamam i Katarit, u detyrua të tërhiqej nga zgjedhjet e qershorit për shkak të akuzave për korrupsion dhe më pas u pezullua përjetësisht për të drejtuar organizma të futbollit. Blater më pas ka deklaruar se Komiteti i Pavarur i Qeverisjes mund të shqyrtojë çështje të ndryshme, përfshirë dhënien e të drejtës së organizmit të Kupës së Botës Rusisë në vitin 2018 dhe Katari në vitin 2022.
Edhe çështja e para 10 viteve për ryshfetet që solli dorëheqjen e ish-Presidentit të FIFA-s, Zhoao Havelanzh nga IOC do të mund të rigjykohet. Havelanzhi 95-vjeçar, mentor dhe paraardhës i Blaterit, iu bashkua IOC në vitin 1963 dhe ishte anëtari i saj më i vjetër. Ai dha dorëheqjen në muajin dhjetor, disa ditë përpara se të përballej me një pezullim të mundshëm për marrjen e 1 milionë dollarëve si rryshet nga marrëveshjet e marketingut të Kupës së Botës kur ishte president i FIFA-s.
IOC e mbylli hetimin e vet pas dorëheqjes së Havelanzhit. Emërimi i një profesori të Universitetit të Bazelit, i cili ka qenë në ekipin që bëri një hetim të pavarur për korrupsionin e dyshuar në programin naftë për ushqim të Irakut, si udhëheqës i reformave i jep besueshmëri komitetit të Blaterit. Por mbetet për tu parë nëse ky organizëm i kritikuar gjërësisht për mungesë transparence dhe llogaridhënieje do të jetë i gatshëm të bindet për nevojën e ndryshimeve rrënjësore.
Blater u detyrua të kërkonte ndjesë në muajin nëntor pasi shkaktoi zemërimin e lojtarëve, zyrtarëve dhe të sponsorëve pasi tha se incidentet raciale mes lojtarëve mund të mbylleshin me një shtrëngim duarsh në fund të ndeshjes. Çështja e racizmit ka dalë në sipërfaqe disa herë gjatë këtij viti. Kapiteni i Anglisë, Xhon Terri dhe sulmuesi uruguajan Luis Suarez janë të dy të akuzuar për abuzim racial ndaj kundërshtarëve, kurse trajneri i Francës, Lorent Blank, për pak sa nuk dha dorëheqje pas një polemike për kuotat e lojtarëve në qendrat stërvitore.
Blank e pranoi se gjuha e tij e ashpër në komunikimin me kolegët e Federatës Franceze të Futbollit ishte e gabuar, por debati ishte në lidhje me përfshirjen e lojtarëve afrikanë që kanë dyshtetësi. Blank doli i pafajshëm nga akuzat për diskriminim nga FFF-ja. Një tjetër sfidë me të cilën përballet Blater dhe FIFA është gjendja e përgatitjeve të Brazilit për të organizuar Kupën e Botës 2014, ku korrupsioni, përplasjet e brendshme dhe mungesa e progresit janë problemet kryesore.
Drejtuesi i komitetit organizator, Rikardo Teikseira, i lidhur me skandalin e korrupsionit të ISL-së, që fundosi Havelanzhin, është i përfshirë në akuzat për rryshfet dhe pastrim parash, nga të cilat dha dorëheqjen Ministri i Sporteve, Orlando Silva. Qeveria e Brazilit ende nuk ka kaluar në Parlament ligjet e nevojshme për organizimin e turneut dhe për të shpejtuar punimet për stadiumet.
Komiteti Ekzekutiv është i shqetësuar për këtë, ka thënë Blater. Unë do ta çoj Kupën e Botës në një nivel presidencial dhe në muajt e parë të vitit 2012 do të shkoj të takoj presidentin e Brazilit, ka thënë Blater. Si një shenjë e rritjes së tensioneve ndërmjet fraksioneve të ndryshme, Teikseira injoroi Pelenë nga hedhja e shortit për Botërorin 2014 në Rio në korrik, por presidenti i vendit, Dilma Rusef, e emëroi legjendën e futbollit brazilian si ambasador të qeverisë për Kupën e Botës 2014.
Futbolli brazilian u godit nga disa ngjarje në vitin 2011, ku veçohet vdekja e të famshmit Sokrates, i cili njihej edhe si një alkoolist i pandreqshëm. Një tjetër goditje për futbollin brazilian ishte shpartallimi i Santosit 4-0 në finalen e Botërorit të Klubeve nga Barcelona. Brazili kishte dështuar më parë të linte përshtypje në Kupën e Amerikës përpara se të humbte katër penallti në eliminimin 2-0 nga Paraguaj.
Nëse mund të shërbente si ngushëllim, Argjentina rivale u eliminua në të njëjtën fazë të kompeticionit po me penallti nga Uruguaj, që u shpall kampion më vonë. Me Diego Forlan dhe Suarez në sulm, Uruguaj përfitoi nga ecuria e mirë në Botërorin 2010 ku shkoi deri në gjysmëfinale dhe mposhti edhe Paraguajin 3-0 në finale duke fituar turneun e parë kontinental që prej vitit 1995. Por nuk pati diçka të tillë në Europë, ku Spanja është ende skuadra më e fortë.
Me yjet e Spanjës në skuadër, si Ksavi Hernandez, Andres Injesta, David Vila dhe Serxhio Buskets, Barcelona dominoi skenën e klubeve me titullin e tretë radhazi në Spanjë, me titullin e tretë të Ligës së Kampionëve në gjashtë vite dhe me trofeun e 13-të të trajnerit Pep Guardiola në 3 vjet e gjysmë të drejtimit të tij të këtij klubi. Siç pritej, lojtari më i mirë i Barcelonës nuk ishte spanjoll.
Mesi vazhdoi të krijojë paralele me të madhin Diego Maradona falë dribilimeve të tij të pandalshme, me golat e shumtë dhe me lojën plot imagjinatë. Argjentinasi e mbylli sezonin 2010-11 me 53 gola në të gjitha kompeticionet përfshirë një gol në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Mançester Junajtid (3-1). Ai është thuajse i sigurt se do të fitojë për të tretin vit radhazi çmimin e Topit të Artë nga FIFA.
Ne kemi lojtarë shumë të mirë në skuadër, por Mesi bën diferencën, ka thënë Guardiola. Ne mund të konkurrojmë, por pa të nuk do të kishim atë epërsi kualitative që kemi falë tij. Në ngjarjet e tjera, Samoa Amerikane fitoi ndeshjen e parë në historinë e saj, Koreja e Veriut u përjashtua nga Kupa e Botës për Femra pasi pesë lojtare rezultuan pozitive për steroidë në kompeticionin e këtij viti, më shumë se 100 lojtarë Under-17 në Kupën e Botës në Meksikë u testuan pozitiv për klenbuterol pasi kishin ngrënë mish në restorantet lokale, kurse trajneri i Uellsit, Geri Spid, u gjet i vetëvrarë në shtëpinë e tij.
Por një lajm i mirë për futbollin ishte suksesi i Japonisë në Botërorin e Femrave në Gjermani. Japonia ishte e shkatërruar nga një cunami dhe tërmeti, që la më shumë se 20 mijë njerëz të vdekur e të humbur, kurse lojtaret japoneze u betuan se do të frymëzonin atdheun e tyre me lojën në botëror. Ato arritën të shkonin deri në finale dhe madje mposhtën SHBA-të duke fituar 3-1 me penallti.
98943 spektatorë kanë parë Meksikën të mundë Uruguajin 2-0 në finalen e Kupës së Botës U-17 në korrik në Azteka, duke dhuruar edhe momentin më kulmor për një turne që pati 1,002,314 spekatorë në stadiume
178 ndeshje me përfaqësuesen, më e fundit ajo në humbjen 2-0 të muajit që shkoi kundër Brazilit, e kanë bërë Ahmed Hasan të Egjiptit lojtarin me më s