E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti 2011 u prit me fishekzjarre

Nën zhurmën e ndricimin e dhjetra fishekzjarreve ka mbërritur edhe në Shqipëri viti i ri 2011.

Gëzuar pra te gjithëve Vitin e Ri 2011, me urimin që të jetë ky vit sa më i lumtur dhe i gëzueshëm për të gjithë, në të gjitha aspektet e jetës.

Në Tiranë, atmosfera u ndez shumë minuta përpara mesnatës, ndërkohë që në rrugë, sic edhe është bërë traditë, kanë vërshuar me qindra njerëz për të pritur jashtë ndërrimin e viteve.

Duke i dhënë lamtumirën vitit të vjetër 2010 dhe mirëpresim 2011-ën, urojmë për më shumë begati, por kthejmë kokën për një bilanc të vitit që shkoi.

Një vit që kaloi dhe na bëri më të rritur, një vit që u shënua nga ngjarje të rëndësishme. Nuk mundet në këtë vit që të mos i kushtojmë vëmendje dhe të solidarizohemi me banorët e zonave të përmbytura, shumë prej të cilëve festa i ka gjetur larg shtëpive të tyre.

Një urim i vecantë shkon për ata njerëz, për një 2011 ndryshe nga viti që lamë pas, më të mirë dhe më të gëzueshëm.

Ndërkohë që nga ana tjetër nuk mund të mos përmendim se 2010-a rrëzoi përfundimisht murin që ndante shqiptarët nga Perëndimi, murin e vizave dhe të izolimit.

Në 2010, shqiptarët realizuan ëndrrën dhe përfituan lëvizjen e lirë në Europë. Një ëndërr për të cilën me dhjetra e qindra vetë sakrifikuan shumë, mdaje edhe jetën.

Por le të shpresojmë që viti i ri 2011 të ketë më shumë ngjarje të mira dhe të bukura që të shënojnë jetën tonë, të jetë më i begatë dhe të na sjellë më shumë gëzime në jetët tona, në familje, në punë dhe kudo tjeter.

Viti i Ri 2011 u festua në Tiranë, e po ashtu është festuar edhe në botë, që prej mesditës me mbërritjen në Zelandën e Re, Australi, Kinë, Hong Kong e më pas në të gjitha kryeqytetet kryesore të Europës.

Gjithashtu, Viti i Ri është festuar edhe në shtëpinë e “Big Brother”, ku banorët e shtëpisë nuk e dinin se fare pranë tyre po festonin Vitin e Ri edhe 6 konkurrentë të rinj.

Një surprizë kjo që do të zbulohet vetëm në mbrëmje, në orën 20:45, kur do të shohim se cfarë ka përgatitur Vëllai i Madh për ta dhe për publikun. Pra, një vit kaloi dhe një tjeter vit po hyn në jetët tona. Edhe një herë ju urojmë: Gëzuar Vitin e Ri 2011!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›