E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti 2011, vendimtar për të ardhmen e demokracisë në Shqipëri

07-01-2011 / Nga Eden Babani, Bruksel

Dita e zgjedhjeve vendore po afron. Plot katër muaj si sot, shqiptarët do të gjenden përpara kutive të votimit, për të zgjedhur organet drejtuese vendore. Fushata, ndonëse pa bujë, ka filluar me kohë. Edi Rama e ka shpallur qysh të nesërmen e 28 qershorit 2010, kur e kuptoi se zgjedhjet parlamentare të radhës i kishte humbur. Qysh atëherë, shumë ujë ka rrjedhur në shtratin e politikës shqiptare. Berisha ideoi dhe ndërtoi koalicionin qeverisës me LSI-në e Ilir Metës, koalicion i cili, ndryshe nga sa u pandeh prej një pjese të analistëve politikë, u qëndroi sfidave të kohës, duke u përballur me nismat jodemokratike të një opozite agresive dhe të papërgjegjshme, që u përpoq me çdo kusht e me çdo mjet të pengonte funksionimin normal të Parlamentit. Megjithatë, pra pavarësisht funksionimit jonormal të jetës parlamentare, shumë reforma morën jetë falë votës së shumicës qeverisëse. Shumë të tjera presin konsensusin e pakicës që, me sa duket, nuk do të zbresë në Tiranë përpara 8 majit, ditë vendimtare për fatet e demokracisë në Shqipëri. S’ka dyshim se arritja më domethënëse e qeverisë Berisha, ishte lëvizja pa viza e shtetasve të Shqipërisë në zonën Shenghen, një arritje historike që, hë për hë, i ka nxjerrë jashtë loje opozitën dhe krerët e saj. Ndërkohë, LSI-ja, e cila, sot për sot, përfaqëson e vetme të majtën reformatore në Shqipëri, ka fituar terren dhe i ka shtuar radhët e saj me rrjedhjet e pashtershme nga fondi i anëtarësisë socialiste.
Edhe brendapërbrenda opozitës, kanë ndodhur ndryshime, ndonëse jo aq në sasi, sesa në cilësi. Zbythja e shumë liderëve socialistë në plan të dytë e të tretë dhe prurjet me shumicë në krye të saj të një specieje politikanësh pa kurrfarë përvoje politike, solli forcimin e pozitave të Edi Ramës në PS, njëherësh edhe zhvendosjen e saj më majtas në spektrin politik të vendit. Nëse PS-ja, qysh në kryeradhë, u end mes dy rrymave - asaj komuniste-konservatore dhe asaj liberale-reformatore - pas daljes së Edi Ramës në krye të partisë, u ndrydh në shtratin e vet të natyrshëm. Ngadhënjeu rryma e parë, në vazhdën e mentaliteteve të PPSH-së, nga gjiri i së cilës u lind PS-ja, në qershor të ’91-së. Ndërkohë, u mpak deri në shterje e dyta, nën trysninë e së parës. I fundit zë liberal në radhët e PS-së, ishte ai i së ashtuquajturës LMN. Sot në PS buçet vetëm zëri keqandjellës i Edi Ramës, përmes altoparlantëve të të gjitha markave e të të dyja gjinive.
Në këto kushte, nuk është aspak e rastit katrahura e stërzgjatur e trafikut në Kryeqytet. Në mos terror i pastër komunist mbi kryeqytetasit, gjithçka është sabotim i jetës normale të një metropoli, si Tirana. Edhe në njërin, edhe në tjetrin rast, kemi të bëjmë me arsenal të luftës politike të tipit komunist. Rama, me një gur, synon të vrasë dy zogj. Nga njëra anë, të bëjë trysni, të lodhë e të mërzitë qytetarët e Kryeqytetit, duke ia hedhur fajin qeverisë për ndonjë zbrazësi eventuale në legjislacion a për  interpretime të gabuara të ligjeve në fuqi, për mungesa fondesh, për gjoja pengesa në shpronësim objektesh etj. Nga ana tjetër, të shpallet shpëtimtar i situatës në prag të zgjedhjeve, duke përuruar ndonjë urë mbi Lanë, duke hapur ndonjë shteg kalimi në Sheshin Skënderbe ose duke shpikur turli lloj blofesh të tjera kësi soji, që, në prag të majit, të kërkojë një mandat të ri për bashkinë, çka, po t’ia arrinte falë militantëve socialistë dhe verbërisë së votuesve të pandërgjegjësuar, do të ishte vetëvrasje për ta dhe për gjithë qytetarët e Tiranës.
Stadi politik në të cilin jeton sot Shqipëria, kërkon me ngut shkëputjen njëherë e përgjithmonë prej të gjitha ndikimeve të ideologjisë komuniste, për çka jemi nisur njëzet vjet më parë, jemi në rrugëtim e sipër, por jo në fund të rrugës. Thuajse të gjitha vendet e lindjes e kanë përshkuar me kohë këtë rrugë, falë vullnetit dhe këmbënguljes së të dyja kaheve të politikës. Ne kemi mbetur në udhëkryqin e mëdyshjeve. Ende s’kemi arritur t’i japim jetë ligjit për lustracionin. Ende s’kemi rënë në një mendje ta dënojmë a të mos e dënojmë Enver Hoxhën pas vdekjes - çka do t’ia mohonte atij ligjërisht edhe titujt e dekoratat që gëzon. Ende polemizojmë t’i heqim a të mos i heqim simbolet e komunizmit, të cilat i ndeshim çdo ditë e ngado: te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, te e ashtuquajtura Piramidë, te Mozaiku i Muzeut Kombëtar, te emrat e rrugëve e të rrugicave e deri te tabela e ndonjë shkolle.
Është e qartë: Shqipëria ka nevojë për reforma të thella që do ta afronin edhe më me demokracitë perëndimore. Por, pa u pastruar rruga prej drizave e ferrave që na qepen hap pas hapi, ajo do të zgjatet pambarimisht dhe do të bëhet më e mundimshme. Kthim prapa s’ka e s’mund të ketë, siç i gënjen mendja nostalgjikët e privilegjeve të kahershme. Sot problemi shtrohet në tjetër plan. Pse ta zgjatim “rrugën e mundimeve”, kur kemi në dorë institucionin e votës së lirë?
Çdo mendim se opozita aktuale do të gjente forca të rinovohej për hir të interesave të vendit, është iluzion. Jo se ajo s’ka të drejtën e rinovimit, çka nuk ia mohon kush, por sepse nuk mund të rinovohet ngaqë rëndesa e saj është trashëgimia komuniste e Partisë së Punës, ani se emërndërruar prej njëzet vjetësh. Kontornot, ashtu si edhe pagëzimi i ri, ishin e mbeten edhe sot hiçasgjë. Përkundrazi, ajo e ka pasuruar arsenalin e vjetër me përvoja të reja, duke synuar me lëvizjet e saj kinse politike të tërheqë pas vetes - siç bën shpresëhumburi në të mbytur e sipër – dhe të implikojë institucionet e pavarura të drejtësisë ose të presidencës.
Lidhur me perceptimin e kësaj mase komuniste të ideologjizuar, kompakte dhe të pandreqshme, le të kujtojmë reagimin e shkrimtarit Dritëro Agolli njëzet vjet përpara, në Kongresin e metamorfozës së PPSH, ndërsa propozohej vetëm ndërrimi i emrit të partisë në pushtet, për të mashtruar opinionin dhe për të zbutur urrejtjen popullore ndaj fytyrës çnjerëzore që përfaqësonte regjimi në fuqi. Reagimi i tij donte me thënë se ajka e anëtarësisë së PPSH-së e ndodhur në Kongres nuk mund të rinovohej në masë, sepse ashtu ishte mbrujtur qysh në krye të herës. Ashtu ka mbetur ajo sot e gjithë ditën, me gjithë prurjet e reja të infektuara ideologjikisht.
Për sa më sipër dhe për analogji, ia vlen t’i sjell lexuesit konstatimet më të fundit të liderit liberal Silvio Berluskoni, Kryeministër aktual i Italisë, lidhur me mundësinë e rinovimit të ish-komunistëve italianë, sot në opozitë. Them për analogji, sepse e majta italiane ngjan si dy pika uji me tonën, sikundër edhe liderët përkatës.  Të njëjtët kanë mbetur të dyja palët, tëpkë siç kanë qenë, pavarësisht emrave që u kanë vënë partive të tyre. Edhe ata, sikurse tanët, synojnë pushtetin me mjete e mënyra të paligjshme, duke mos përfillur votën e lirë, duke synuar implikimin e organeve të pavarura të drejtësisë, duke nxitur urrejtjen klasore, duke penguar reformat, duke lidhur aleanca me lloj-lloj renegatësh, duke protestuar rrugëve dhe shesheve të Romës e të qyteteve të tjera, duke mistifikuar e duke shpifur ndaj çdo nisme që ndërmerr qeveria. “Kanë ndërruar emra disa herë, - vëren Berluskoni, - por truku nuk ka funksionuar... Janë borgjezuar, mbajnë veshje firmash të zgjedhura, këpucë të bëra me porosi, drekohen e darkohen me shampanjë, por mbeten të njëjtët... Frekuentojnë sallone shik... Mistifikojnë kundërshtarët dhe i  mallkojnë, duke synuar deri eliminimin e tyre fizik, duke përdorur magjistraturën... Por, për fat të mirë, italianët nuk janë identifikuar me këtë të majtë.”
Le të shpresojmë se edhe votuesit shqiptarë do të gjejnë vetveten në këta katër muaj, do të ndërgjegjësohen për të ardhmen e tyre.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›