E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti i integrimit dhe zgjedhjet

Kryeministri i vendit edhe dje e theksoi se do të kërkojmë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, status që ka shumë përfitime. Së pari, për fondet për zhvillimin rural që na vihen në dispozicion. E ardhmja jonë, me dhe pa krizën financiare botërore, janë turizmi dhe zhvillimi i zonave rurale, duke gërshetuar prodhimin bujqësor me turizmin dhe zejtarinë e fshatit. Kërkesa për statusin e vendit kandidat vjen në një kohë kur Oli Ren, komisioneri i zgjerimit i Bashkimit Evropian deklaroi se viti 2009 do të jetë viti i integrimit për Ballkanin. Edhe pse duket absurd në plan të parë, për shkak se Bashkimi Evropian ka shumë probleme me krizën financiare botërore dhe me ekonomi të sprovuara rëndë prej saj, si ajo irlandeze, angleze, islandeze e me radhë, oreksi zgjerues i Brukselit duket se vijon sypatrembur. E si mund të mendojë ai për zgjerim të mëtejshëm dhe për anëtar të 28-të apo 29-të të vet? Për kosto të rritura zgjerimi? E megjithatë, kjo gjë po ndodh. Parashikohet që për ecurinë e mirë të Kroacisë, Brukseli t’i akordojë kësaj të fundit bisedimet për anëtarësim. Maqedonia do të qëndrojë në vend numëro, për shkak të situatës së paqartë politike atje. Serbia ka bërë hapa gjigandë dhe mund të marrë në vitin 2009 MSA-në e saj (Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit). Mali i Zi gjithashtu ka zhvillime shumë premtuese, ndërsa Bosnje-Hercegovina lëngon në ndarjen politike të brendshme. Na takon ne të përfitojmë nga kjo gjendje dhe të bëjmë hapa me Brukselin. Kuptohet që ai do të na mbajë në vëmendje, por duke kontrolluar zgjedhjet që do të zhvillojmë, edhe pse paketa integruese shqiptare dhe raportet e progresit që ne dërgojmë në Bruksel janë ndër më shembulloret, edhe pse koordinimi i realizuar nga Ministria e Integrimit është profesionale. Duhet të mësohemi të shikojmë politikanët e BE-së ashtu sikurse janë me të vërtetë: politikanë. Pra, lojtarë. Parametrat teknikë dhe ekonomikë të zhvillimit të Shqipërisë janë njëra anë që ata sigurisht vlerësojnë. Mirëpo përparimi politik, bashkëpunimi pozitë-opozitë dhe kryerja e zgjedhjeve të ndershme është kandari themelor i BE-së. Këtu Brukseli nuk lëshon pe dhe do të tregohet shumë kokëfortë, nëse ne shkelim standardet. Edhe sikur që nga 1 janari 2009 të kërkojmë ne statusin e vendit kandidat, BE-ja nuk do të na e pranojë këtë status, por do ta përdorë për të na kontrolluar me zgjedhjet. Është një lojë politike dhe qeveria jonë duhet të tregohet syhapur e ta pranojë ashtu sikurse ajo paraqitet: një “shantazh” pozitiv. Prandaj bëhet vendimtare që qeveria dhe të gjithë ne të përgatitemi dhe të zhvillojmë zgjedhje të hapura e bindëse për të gjithë se janë zgjedhje të lira e të barabarta. Nga verdikti i natyrës së zgjedhjeve do të varet statusi i vendit kandidat dhe përfitimet që do të mund të marrim nga ky status. Ja përse zgjedhjet dhe menaxhimi i tyre janë dyfish të rëndësishme. Ja përse përgatitjet për zgjedhje duhen parë që tani në funksion të integrimit, këtij procesi madhor për Shqipërinë. Nëse përçapjet për të marrë që në gjysmën e parë të vitit statusin e vendit kandidat (kuptohet, që për nga pikët për zgjedhjet), fitimi i këtij statusi është sa një gjysmë anëtarësimi në NATO, paraqet një kartë të shkëlqyer për pozitën për të fituar votat e shqiptarëve në qershor 2009. Mirëpo fitimi i tij, nga natyra e lojës politike që mund të zgjedhë të bëjë Brukseli, mund të jetë problematik. Qeveria jonë lypset të mos i humbasë nervat, të mos tregohet e paduruar me BE-në. Tratativat do të jenë të vështira, pse mjeshtrit që na mbikëqyrin e dinë mirë gjendjen tonë. Qeveria jonë duhet dhe mund të ushtrojë një presion pozitiv, në bazë të përparimeve konkrete, që janë të prekshme e të dukshme, të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Statusi i vendit kandidat u duhet shqiptarëve jo thjesht pse pozita mund të luajë shumë me të për të fituar zgjedhjet, por pse fondet që BE-ja vë në dispozicion pas marrjes së statusit, janë shumë herë më të mëdha se në gjendjen e sotme. Dhe këto fonde janë në dobi të të gjithë vendit e shtetasve të tij. Është në bazë të këtij morali që qeveria duhet të përpiqet të fitojë betejën e vështirë për statusin e vendit kandidat për anëtar në BE. Nëse politikanët e Brukselit nuhasin vetëm dëshirë për ta përdorur statusin si kalë zgjedhor, do të na e bëjnë jetën të vështirë.

Fatos Çoçoli

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›