E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvarritjet e qëllimshme

Pakoja e Ahtisarit ishte një seri e kompromiseve të dhimbshme. Që në fillim është ditur se lëshimet do të bëhen për hir të një ideje sublime dhe për të rrumbullakuar pavarësimin e Kosovës. Aq ishin mundësitë tona dhe ashtu ishte raporti i forcave, kurse aleatët tanë na sugjeruan se duhet të pranojmë këtë gjë, megjithëse të gjithë e dinin se asnjë shtet në rajon nuk e ka merituar më shumë epitetin e shtetit njëetnik apo një shtet një komb sesa shqiptarët e Dardanisë-Kosovës zyrtare, sepse e kishte përbërjen e tillë të popullatës, ku të tjerët ishin një përqindje e papërfillshme. Mirëpo, për ironi, derisa të gjitha shtetet e rajonit kishin përqindje të madhe të shqiptarëve brenda shtetit të tyre, ato jo vetëm se nuk ngurruan që në kushtetutat e tyre të shpallen se janë shtet i akëcilit komb, por nxituan të ngulfasin çdo mundësi për t’iu imponuar kombeve që nuk ishin serbë, nuk ishin sllavo-maqedonas dhe që nuk ishin sllavë të Malit të Zi. Bashkësia ndërkombëtare me disa sugjerime për të drejtat e njeriut, tek-tuk edhe për të drejtat ndërkombëtare, nuk pati vërejtje esenciale. Kosova kishte përqindjen më të madhe të popullatës shumicë, mbi 90 për qind, me një përqindje të vogël të serbëve, me përqindje edhe më të vogël të minoriteteve të tjera, ndërsa na u imponua të jemi shtet shumëkombësh, pa asnjë shenjë kombëtare në simbolet e shtetit. Të gjithë e dinë se ky presion ndërkombëtar u bë për hir të serbëve e jo për të tjerët. Të gjithë e dinë se kjo u bë në mënyrë që serbët dhe Serbia mos ta ndienin disfatën që e pësuan me humbjen e Kosovës.

Vazhdimi i mëtutjeshëm i kompromiseve edhe pasi që u shpall shteti, edhe pasi u tumir Kushtetuta, edhe pasi hipën në fuqi ligjet e Kuvendit të Kosovës, do të cenonte drejtpërdrejt Kushtetutën dhe rendin juridik të shtetit të ri. Këtë gjë që nga fillimi i funksionimit të shtetit të ri e ka bërë enklava serbe në veri të Mitrovicës, me lejimin dhe me bekimin e administratës ndërkombëtare të UNMIK-ut që më shumë u krijua përshtypja se janë instaluar në veriun e Kosovës për t’u dhënë serbëve favore sesa për të mbajtur rendin dhe qetësinë. Kjo u dëshmua shumë herë gjatë muajve të fundit, neutraliteti dhe lojaliteti i të cilëve u vu në dyshim edhe më herët, kur lejuan që në veri të krijohen struktura ushtarake serbe apo forca goditëse të shërbimit sekret serb, pastaj të instalohet dhe të funksionojë administrata e financuar nga Serbia, ku janë rekrutuar njerëzit e hurit e të litarit. Administrata e UNMIK-ut ka kohë që e kreu misionin e vet dhe është dashur që më kohë edhe OKB-ja ta tërheqë nga Kosova, në mënyrë që të mos degjenerojë dhe të mos bëhet armatë e imponueshme dhe e padëshirueshme. Këtë është dashur ta dinë edhe ata që kanë ardhur me qëllim të mirë a për ideale, që janë fare të paktë, nëse ka të tillë, por edhe ata që kanë ardhur si puna e mercenarëve për një rrogë më të madhe në vendin e rrezikshmërisë së vogël. Me një fjalë, UNMIK-u pavarësisht lëshimeve të njëpasnjëshme, do të mbetej në kujtesë për të mirë, megjithëse ne nuk e kërkuam një administratë të këtillë, ne dhjetë vjet më herët kërkuam një administratë civile ndërkombëtare të tipit të EULEX-it, që thuhet se do të instalohet në Kosovë, por me më shumë ekspertë e me më pak politizim. Mirëpo, periudha e kapërcimeve nga UNMIK-u në EULEX po bëhet me dridhje të mëdha, dhëntë Zoti të mos ketë rrëmujë (kaos), sepse pastaj kjo gjë nuk i duhet asnjërës nga këto administrata, edhe pse dihet fare mirë se administrata e UNMIK-ut pikërisht në vatra të krizës instalohet. Ndërkaq, administrata e EULEX-it, e cila për herë të parë formohet si trupë ndërkombëtare, është bërë enkas për Kosovën. Dhe që në fillim është thënë se do të jetë forca goditëse kundër krimit të organizuar, do ta luftojë si asnjë organ tjetër korrupsionin dhe fenomenet e tjera devijante, të cilat nuk mund t’i bëjnë institucionet tona të brishta, besa që në fillim bukur të korruptuara, sepse ia filluan ngjizjes mbrapsht, por të shpresojmë se e fundit do të jetë mbarë. Po ashtu na mbetet të shpresojmë se krimi i organizuar me bandat e veta nuk do të na mbetet peshqesh ashtu sikurse i mbeti Italisë mafia, të cilën edhe sot e kësaj dite e ndjekin organet e rendit dhe të ligjit, por me më shumë pasoja dhe më shumë viktima. Ka zëra që duke menduar se jemi të pafuqishëm apo të paaftë ta luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin, e komprometojmë shtetin dhe institucionet tona. Por të mbyllesh sytë para këtij fakti, pra para faktit se institucionet tona e kanë vështirë (që të mos themi të pamundur) luftimin krimit të organizuar, nuk tregohemi jopatriotë, përkundrazi, vetëm ata që i pranojnë dobësitë e institucioneve të atdheut dhe përpiqen t’i ndreqin këto dobësi, janë patriotë, ndërsa ata që përpiqen të fshehin gjërat që nuk mund të fshihen janë demagogë apo edhe më keq - duan të mos e fillojnë çrrënjosjen e fenomeneve të shëmtuara e devijante.

Çdo vonesë e konsolidimit të shtetit juridik, e pastërtisë së institucioneve dhe e përgatitjes për inkuadrim në institucionet e Bashkimit Evropian, është vonim i demokracisë, vonim i zhvillimit ekonomik dhe vonim i perspektivës së kombit dhe të shtetit tonë.

Prandaj, edhe me supozimin se gjashtë pikat e Ban Ki Munit nuk do të pranohen, ndërsa përfaqësuesit tanë nuk duhet t’i pranojnë, as ta legjitimojnë ndarjen e një pjese të territorit të Kosovës, madje ndarjen ta kundërshtojnë me të gjitha mënyrat, Serbia e ka llogaritur vonesën si njërën ndër armët e saj. Diplomatët e saj vazhdimisht kanë kërkuar bisedime e bisedime, ishin të gatshëm deri në pakufi për bisedime shterpë, sepse në këtë mënyrë një herë zvarritej statusi i Kosovës, ndërsa herën e dytë edhe kur u pranua pavarësia, ata shantazhuan një herë me luftë, pastaj me ndarje dhe sërish me deklarata qesharake se Serbia do të shkojë në Bashkimin Evropian edhe me Kosovën, ndërsa janë pjesa më e madhe e shteteve të BE-së që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, madje kanë filluar të emërojnë dhe të dërgojnë ambasadorët e tyre.

Jemi të fituar në këtë mes, nëse ngulim këmbët në të drejtën tonë, nëse nuk vonohemi në proceset politike e diplomatike dhe nëse nuk i lëmë mundësi Serbisë me lojëra të nëndheshme e të pista të na vonojë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›