Viti i ri, fluks grabitjesh e vjedhjesh
VLORE/KORçE – Grabitjet e vjedhjet mësyjnë ditët e para të vitit të ri. Një grabitje me maska në një pikë karburanti ka bërë që autorët të përfitojnë një shumë prej rreth 1.1 milion lekësh, ndërsa në një banesë në qytetin e Korçës rreth 20 mijë euro. Sipas policisë së Vlorës, në orët e para të mëngjesit të djeshëm u grabit në hyrje të fshatit Babicë në Vlorë një pikë karburanti. Autorët e morën rojën e duke e mbyllur atë në një dhomë i janë drejtuar zyrës ku ndodhej kasaforta. Pasi e kanë hedhur atë në makinën e parkuar pranë pikës së karburantit janë larguar në drejtim të paditur. Vetëm kur janë larguar grabitësit, roja ka mundur të dalë dhe të lajmërojë policinë. Dyshohet se autorët janë banorë të zonës. Në komisariat janë shoqëruar disa persona, por ende nuk janë zbuluar dhe identifikuar ata. Ditët e para të Vitit të Ri janë shoqëruar edhe me një sërë vjedhjesh të lokaleve dhe banesave private në qytetin e Korçës. Menjëherë pas ndërrimit të viteve, duke përfituar nga mbyllja e lokaleve për shkak të pushimit të festave dhe vizitat që banorët e Korçës sipas traditës zhvillojnë tek të afërmit dhe miqtë e tyre, vjedhësit kanë bërë objekt të grabitjeve lokale të ndryshme si dhe banesa. Burime të policisë së Korçës, thanë se vetëm gjatë fundjavës janë denoncuar 4 vjedhje lokalesh dhe një banese private në qytetin e Korçës. Pasojat më të rënda nga këto vjedhje kanë qenë në banesën e kampistit Berti Marko, në lagjen 16 të qytetit. Aty mësohet se janë vjedhur rreth 20 mijë euro dhe afro 400 mijë lekë të reja. q.b/g.a