E Diel, 1 Nëntor 2026

Burrel, udhëtonin drejt Tiranës, grabiten me armë 12 pasagjerë

 BURREL - Ditën e parë të daljes në punë grabitet furgoni i linjës Selishtë-Tiranë. Mjeti me targa TR 2092 T, i drejtuar nga Dervish Budini ka rënë pre e dy personave të maskuar dhe të armatosur, pikërisht afro 2 kilometra larg fshatit Vig, në vendin e quajtur Mali i Shënmërisë. Sipas policisë ka qenë ora 08:45, kur dy persona i kanë dalë para furgonit me 12 pasagjerë, i njëjti i grabitur dhe në nëntor të vitit 2009. Burime pranë policisë sqaruan se dy persona të maskuar, njëri prej tyre dhe i armatosur kanë urdhëruar drejtuesin e mjetit të ndalojë dhe të zbresë. Pikërisht në këto çaste gratë kanë ulëritur me zë të lartë, por grabitësit kanë vijuar punën e tyre normalisht. Vera Biba, banorja 70-vjeçare e Qafë Murrës në rrëfimin e saj për gazetën “Panorama” tha se ajo dhe personat e tjerë në këtë mjet kanë parë tmerrin me sy, madje lusin Zotin që janë ende gjallë. “Rreth orës 6 të mëngjesit kemi nisur udhëtimin nga Selishta e fshatra të tjerë të kësaj zone në drejtim të Tiranës. I vetmi mjet që bën këtë rrugë është furgoni i Dervish Budinit. Papritur në rrugë u shfaqën dy persona, të maskuar dhe të veshur gati njëlloj. Njëri mbante në dorë një automatik. Asnjëri nuk fliste dhe të gjitha veprimet i kryenin me shenja. Në fillim sapo ndaluan mjetin, i bënë me shenjë shoferit të zbresë. I futën ca shkelma dhe i thanë të nxirrte lekët që kishte me vete. Pastaj na zbritën të gjithëve nga furgoni. Ne gratë dhe tre studente që kishim me vete nisëm të qajmë dhe bërtasim. Ne na lejuan të rikthehemi në furgon. As nuk na prekën me dorë dhe as nuk na kanë grabitur. Ndërkohë burrat janë grabitur të gjithë. U morën paratë dhe celularët”. Ashtu si dhe pasagjerët e tjerë, e moshuara thotë se shoferin e njohin si njeri të mirë dhe këto veprime bëjnë që ai të mos lëvizë më në këtë rrugë. “Policia të gjejë autorët se kemi frikë për të lëvizur”, shprehen ata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›