Gjykata lë në burg tre autorët e sulmit me armë mbi policinë
TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda la në "arrest me burg" tre personat që mbrëmjen e 29 dhjetorit 2009 qëlluan me armë zjarri në drejtim të policisë në zonën e Selitës në Tiranë. Në të njëjtën kohë Policia e Shtetit identifikoi dhe shpalli në kërkim një person të katërt, të dyshuar si i pranishëm në ngjarje. Burime pranë gjykatës për Krimet e Rënda bënë të ditur se tre ditë më parë Pajtim Serjani, 26 vjeç, Shamet Mejdani, 21 vjeç dhe Enea Gega, 24 vjeç, u paraqitën para togave të zeza të kësaj gjykatë për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj tyre. Të tre personat akuzohen për veprën penale të "vrasjes në rrethana cilësuese e mbetur në tentative" në bashkëpunim dhe "armbajtës pa leje". Mbrëmjen e dy ditëve para orës së ndërrimit të viteve të rinjtë i'u përgjigjën me breshëri armësh shenjës së policëve për të ndaluar në një postbllok policie në zonën e Selitës në kryeqytet. Para gjykatës, të tre mbrojtësit ligjorë të të pandehurve kërkuan një masë më të lehtë sigurie se ajo e arrestit me burg. Burime pranë seancës bënë të ditur se një nga të pandehurit pranoi para gjykatës se mbrëmjen e ngjarjes me ta ishte edhe A.R., një personazh i njohur, ish-pjesëmarrës në një shfaqje televizive në Shqipëri. Ndërsa dy të pandehurit e tjerë nuk kanë pranuar të flasin para gjykatës. Pasi u njoh edhe me pretendimin e përfaqësuesit të akuzës, i cili kërkoi "arrest me burg" për të tre të pandehurit, gjykata vlerësoi të ligjshëm arrestimin dhe vendosi lënien e tyre në qeli deri në përfundim të hetimeve. Ngjarja që la pas hekurave tre të rinjtë Serjani, Mejdani dhe Gega u shënua në orën 21:00 të datës 29 dhjetor 2009. "Arrestimi i tyre u bë për arsye se në rrugën 'Irfan Tomini', pas shenjës për të ndaluar që u kanë bërë punonjësit e patrullës së përgjithshme të policisë së Komisariatit Nr.2 Tiranë, kanë qëlluar me armë në drejtim të punonjësve të policisë", njoftoi zyrtarisht pas ngjarjes Policia e Shtetit. Ata u arrestuan vetëm pak orë pas ngjarjes. Sipas policisë, në vendin e ngjarjes u sekuestruan në cilësinë provës materiale, një automatik tip model.56 me dy krehër, një armë pistoletë m 54, disa gëzhoja arme, një automjet tip "Mercedes benz" me tragë BOT QA997 si dhe disa aparate celularë. ar.ba