E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti i ri shkollor, Tafaj: S’mund të shmangim mësimin me turne

TIRANE- Edhe për vitin e ri shkollor 2012 – 2013 nuk mund të evitohet mësimi me turne për gjimnazistët e kryeqytetit. Problemi, i cili tashmë është i njohur prej vitesh, nuk mund të zgjidhet edhe për këtë vit të ri shkollor. Deklarata është bërë nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, gjatë inspektimit të punimeve në shkollën e re 9–vjeçare që është duke u ndërtuar në Farkë. Kjo, edhe pse janë shtuar ambientet e reja. Tafaj është shprehur se investimet do të vazhdojnë por mësimi me turne nuk mund të shmanget dhe kjo vjen si pasojë e shpërnguljeve pa kriter të familjeve nga fshati drejt qytetit. 

“Janë zonat e mbipopulluara, siç është periferia e Tiranës, akoma do kemi në Kamëz, në Paskuqan, do kemi në zonën e Kënetës në Durrës. Natyrisht, në qytetin e Tiranës ende nuk e kemi zgjidhur plotësisht problemin, për shkak të prurjes së madhe të nxënësve që vijnë nga periferitë e qyteteve, jo vetëm nga lagjet, po dhe nga fshatrat përreth”,- u shpreh Tafaj. Ndërkohë që garantoi se po shikohen të gjitha mundësitë që edhe në zonat rurale, ku frekuentimi i shkollës është i ulët, ato të mos mbyllen. 

“Nuk mbyllet asnjë shkollë, po natyrisht nëse prindërit janë të interesuar, janë afër qytetit dhe u intereson t’i çojnë në shkollën e qytetit, nuk mund t’i ndalojmë. Kjo ndodh në Tiranë, kjo ndodh në Durrës, kjo ndodh në Burrel, ndodh në Shkodër, gati në çdo qytet, por ne shohim një stabilizim të numrit të nxënësve dhe në shkollat në zonat rurale”,- tha Tafaj. Investimi për ndërtimin e shkollës në Komunën e Farkës kap shifrën e 64 milionë lekëve të reja. Në këtë shkollë, e cila pritet të hapë dyert në 10 shtator, do të mësojnë nxënësit e kësaj komune, si dhe ata të zonave përreth.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›