Viti i ri shkollor, celen 14 degë të reja në shkollat e mesme profesionale
Gjimnazet profesionale do të ofrojnë disa degë të reja për nxënësit gjatë vitit të ri shkollor. Ministria e Arsimit ka miratuar çeljen e rreth 14 degëve të reja në disa prej shkollave të mesme profesionale të vendit. Zhvillimet intensive ekonomike sjellin çdo ditë e më shumë nevojën e rritjes së fuqisë punëtore të kualifikuar në degë të ndryshme të ekonomisë. Gjatë vitit 2009, drejtoritë e zyrat e arsimit kanë propozuar hapjen e degëve të reja të arsimit profesional në rrethe të ndryshme të vendit mbi bazën e vëzhgimit të nevojave të tregut dhe politikat nxitëse të MASH-it për këtë arsim. Këtë javë, ministri i Arsimit, Fatos Beja ka urdhëruar çeljen në shtator të degës Elektronikë në shkollën e mesme profesionale, “Petro Sota” në Fier, çeljen e degës së re Ekonomi-Biznes në shkollën tjetër profesionale të qytetit të Fierit, “Rakip Kryeziu” dhe çeljen e degës së Ndërtimit në shkollën profesionale, Rubik. Gjatë vitit të fundit janë çelur dy shkolla të reja profesionale: në Bërdicë, Shkodër, me drejtim mësimor Bujqësi dhe profil Agrobiznes, si dhe në Burrel, me drejtim mësimor “Ndërtim”. Gjithashtu, janë hapur nëntë degë të reja në shkollat ekzistuese profesionale për “Teknologji Informacioni dhe Komunikimi” në shkollat “Beqir Çela” Durrës, “Pedagogjike” Korçë, dhe “Pavarësia” në Vlorë; për “Ekonomi-Biznes” në shkollat “Hysen Çela” Durrës, dhe shkollën “Agroturizmi” në Golem-Kavajë; për “Hoteleri-Turizëm” në shkollën “Mihal Shahini”, Cërrik; për “Elektronikë” në shkollën “Demir Progri”, Korçë; për “Gjeodet” në Shkollën e Ndërtimit, Korçë dhe për “Poligrafi” në shkollën teknike “Karl Gega” në Tiranë. Aktualisht, në 22 rrethe të vendit funksionojnë 43 shkolla të arsimit teknik dhe profesional, ku nxënësit mësojnë për 35 specialitete të ndryshme. MASH-i synon zgjerimin e këtyre shkollave në mënyrë që të shtohen të rinjtë shqiptarë me aftësi e kualifikime profesionale në përputhje me kërkesat ekonomike të vendit dhe zhvillimet shoqërore në kontekstin e integrimit Rajonal dhe Evropian.
19 Gusht 2009