Bie në greminë 6-vjeçari, plagosen edhe prindërit
LIBRAZHD - Një 6 vjeçar nga një fshat i rrethit të Librazhdit, ka gjetur vdekjen aksidentalisht, ndërsa prindërit e saj janë plagosur lehtë. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi paraditen e të shtunës, në aksin rrugor Stravaj - Prrenjas. Sipas tyre vogëlushi 6 vjeçar, Faik Kryemadhi, teksa udhëtonte me prindërit e tij, ka humbur drejtimin dhe ka përfunduar në humnerë. Për shkak të rënies nga lartësia dhe plagëve të mara, Kryemadhi gjeti vdekjen e menjëhershme. Babai dhe ëma, në përpjekjen për ta shpëtuar, janë plagosur lehtë, por nuk kanë asnjë rrezik për jetën. Policia është duke hetuar mbi shkaqet e aksidentit.
Digjet 3-vjeçari në shtëpinë e përfshirë nga flakët
HAS - Një fëmijë 3 vjeç humbi jetën të shtunën në fshatin Golaj të rrethit të Hasit, pasi shtëpia e tij u përfshi nga zjarri, si pasojë e një qarku të shkurtër elektrik. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Kukësit, Irena Kroi, tha se "3 vjeçari, fëmija i Agim Lushajt nga fshati Golaj i rrethit të Hasit humbi jetën rreth orës 08:30, pasi shtëpia e tij u përfshi nga zjarri, si pasojë e një qarku të shkurtër elektrik". Sipas policisë, zjarri i fuqishëm ra në banesën e vëllezërve Besnik e Agim Lushaj. Mësohet se personat e ndodhur afër vendngjarjes nuk mund të ndërhynin për të shpëtuar fëmijën 3 vjeç të Agimit, i cili ka qenë i vetëm në shtëpi, pasi pjesëtarët e tjerë të familjes kanë dalë për t'u kujdesur për të mbjellat.
Prangoset, aksidentoi për vdekje 5-vjeçaren
MALËSI E MADHE - Forcat e policisë së Malësisë së Madhe arrestuan në orët e vona të mbrëmjes së premte autorin e aksidentit me pasojë vdekjen e 5 vjeçares Ambra Zenelaj, në fshatin Grizhë të këtij rrethi. Burime nga komisariati i policisë së këtij rrethi bënë të ditur se "Arben Vajushi, lindur e banues në fshatin Demiraj, komuna Gruemirë, u ndalua nga policia spasi akuzohet si autor i aksidentit me pasojë vdekjen e 5 vjeçares Ambra Zenelaj". Sipas policisë, 38 vjeçari Vajushi, teksa po drejtonte pa patentë automjetin e tij tip "Volswagen", me targa SH 0974 C, aksidentoi vogëlushen Zenelaj, e cila megjithë ndërhyrjen e menjëhershme kirurgjikale të mjekëve, si rezultat i plagëve të mëdha humbi jetën. Arben Vajushi ndiqet penalisht për veprat penale "shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, me pasojë vdekjen e një personi" dhe "drejtim i mjetit pa leje drejtimi".
23 Qershor 2008