Vizat, Basha në Bruksel: Sa më shpejt të jetë e mundur
Ministri i Brendshëm, z. Lulzim Basha, mori pjesë në ceremoninë e organizuar në Këshillin Evropian me rastin e liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor. Këshilli Evropian vendosi të ofronte liberalizimin e vizave në zonën Shengen për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Heqja e vizave për këto vende do të aplikohet duke filluar nga 19 dhjetori i 2009-s për mbajtësit e pasaportave biometrike. Ky vendim i rëndësishëm vjen pas një deklarate politike të Këshillit dhe Parlamentit Evropian, në të cilën ftohet Komisioni të propozojë liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën, duke marrë parasysh progresin e këtyre vendeve, sidomos në fushën e sigurisë së dokumenteve, me qëllim liberalizimin e vizave sa më shpejt të jetë e mundur. Ministri Basha gjatë ceremonisë u takua me Komisionerin për Drejtësi dhe Çështjet e Brendshme, z. Jacques Barrot, ministrin suedez të Migrimit, z. Tobias Billstrom, si dhe homologët e tij të rajonit. Gjatë pritjes, Basha duke uruar vendet të cilat përfituan nga vala e parë e liberalizimit, nënvizoi se Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina shumë shpejt do t’i bashkëngjiten grupit të parë të fituesve, jo vetëm pasi procesi i liberalizimit të vizave, i lançuar në fillim të 2008-s, i cili me vonë u pasua nga propozimi i Komisionit në korrik 2009, nuk mund të konsiderohet i përmbyllur për rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe sepse Shqipëria gati i ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit. Misionet e vëzhgimit që priten në mes të dhjetorit, do të jenë në gjendje të prekin vetë progresin thelbësor të arritur nga Shqipëria në fushën e sigurisë së dokumenteve, kontrollit të integruar të kufijve, si dhe në fokusin e treguar në drejtim të luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore, drogës dhe kundër krimit të organizuar. Ministri suedez Billstrom nga ana e tij, duke vlerësuar se liberalizimi i vizave i sjell qytetarët e Ballkanit më pranë Evropës, shprehu besimin se shumë shpejt Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina do t’i plotësojnë kriteret e mbetura dhe se edhe për këto dy vende një ceremoni e tillë do të kryhet shumë shpejt. Ndërkohë, zv.presidenti Barrot, duke nënvizuar se jemi në një moment shumë të bukur dhe se “Lisbona” ishte një sukses për qytetarët evropianë, u shpreh se liberalizimi i vizave ka të njëjtën rëndësi për qytetarët e Ballkanit dhe shtoi se Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina shumë shpejt do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave, pasi këto vende kanë punuar shumë.