Takimi Meta-Klinton, garantohet bashkëpunimi i gjerë SHBA-Shqipëri
Shaban Sulçe
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, takohet me sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, dhe merr garanci për një bashkëpunim të ngushtë midis dy vendeve në të gjitha nivelet. Takimi është zhvilluar dje, në darkën që u shtrua nga sekretarja e Shtetit të SHBA-ve, Hillari Klinton. Kjo darkë u organizua gjatë Sesionit të 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në të cilin ishin ftuar ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së dhe NATO-s. Gjatë kësaj ceremonie, ministrat e Jashtëm të Aleancës së Atlantikut diskutuan rreth një sërë çështjesh të një rëndësie të veçantë për paqen dhe sigurinë e vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Meta u takua dhe zhvilloi një bisedë të drejtpërdrejtë me sekretaren e Shtetit, Klinton, e cila e përshëndeti Metën për marrjen e funksioneve dhe i uroi atij suksese në ushtrimin e kësaj përgjegjësie të rëndësishme politike për Shqipërinë.
Takimi
Hillari Klinton i konfirmoi ministrit të Jashtëm shqiptar vullnetin e SHBA-ve për një bashkëpunim të ngushtë mes dy vendeve në të gjitha nivelet dhe i theksoi atij besimin e plotë te roli tepër konstruktiv dhe i rëndësishëm që Shqipëria ka luajtur dhe do të luajë si një partnere e afërt e SHBA-ve për mbarëvajtjen e sigurisë, paqes dhe stabilitetit rajonal. Meta, në emër të qeverisë shqiptare, e siguroi zonjën Klinton për angazhimin maksimal të Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve si anëtare e NATO-s dhe dedikimin e qeverisë për t’iu afruar sa më shpejt integrimit të plotë europian.
Integrimi
Po gjatë ditës së djeshme, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, zhvilloi disa takime të rëndësishme që kanë të bëjnë me prioritetet e Qeverisë së Integrimit Europian. Kështu, gjatë takimit me ministrin e Jashtëm belg, Yves Leterne, u diskutuan çështje që lidhen me integrimin europian të vendit, procesin e liberalizimit të vizave, si dhe intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe. Zv.kryeministri Meta vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe dhe njëkohësisht kërkoi mbështetjen e Belgjikës për aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit për anëtar të Bashkimit Europian, si dhe për përfshirjen e Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave të BE-së me vendet e rajonit. Pasi vlerësoi zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri dhe raportin pozitiv të OSBE/ODIHR-it për to, ministri i Jashtëm belg konfirmoi mbështetjen e plotë të vendit të tij për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Përsa i përket liberalizimit të vizave, Leterne u shpreh se Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në plotësimin e kushteve të udhërrëfyesit të Komisionit Europian dhe shprehu besimin në përmbushjen e shpejtë të tyre nga pala shqiptare, çka do të sillte një reagim pozitiv për këtë qëllim.
Meta u takua gjithashtu edhe me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Mohammed Bin Rashed Al Maktoum dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Panamasë, Meliton Arroça. Në takimet me homologët e tij të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të Panamasë, biseda u përqendrua kryesisht në zhvillimet në rajonet respektive dhe në intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe në bashkëpunimin në kuadrin e organizatave ndërkombëtare. Zëvendëskryeministri Meta i falënderoi bashkëbiseduesit për mbështetjen që këto vende i kanë dhënë shtetit të pavarur të Kosovës.
24 Shtator 2009