Vizat, Komisioni Europian vendos më 14 korrik për treshen e rajonit
Komisioni Europian, në takimin e caktuar më 14 korrik në Strasburg do të miratojë propozimin për vendosjen e Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi në listën pozitive të Shengenit. Këtë lajm e konfirmuan mediat e rajonit, duke iu referuar dje burimeve nga Komisioni Europian. Sipas burimit të njëjtë, synohet që procedura të përfundojë deri më 30 nëntor, kur në takimin e Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme duhet të miratohet vendimi që liberalizimi i vizave për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi të hyjë në fuqi më një janar të vitit 2010. Komisioni Europian të martën e ardhshme pas miratimit, propozimin për heqjen e vizave do t‘ia dërgojë këshillit të Bashkimit Europian dhe Parlamentit Europian, i cili duhet të japë mendim në afat prej tre muajve. Vetëm pak ditë më parë, ministri i Suedisë për Migracionin dhe Azilin, vend i cili mori Presidencën e radhës të BE-së, tha se "nga mesi i muajit korrik, Komisioni Europian do të dalë me propozime ligjore, të cilat do të mundësojnë regjim pa viza deri në fund të vitit 2009, për ato vende të cilat deri në atë kohë do t‘i realizojnë kushtet e nevojshme për liberalizim". Këtu besoj, shtoi ai, se përfshihen Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi", theksoi ministri Tobias Bilstrom. Ai pohoi se Serbisë, i mbetet të zgjidhë çështjet për kontrollin e vijës kufitare me Kosovën, si dhe çështjen e dhënies së pasaportave për qytetarët e Kosovës. Ministri suedez tha më tej se presidenca suedeze e BE-së e njeh dimensionin rajonal të liberalizimit të vizave për Ballkanin Perëndimor, por thekson se të gjitha vendet në proces duhet të fitojnë regjim pa viza kur t‘i realizojnë kushtet e nevojshme. "Secili vend ka problemet e veta specifike, por përmbushja e kushteve është kyç për gjithçka", tha më tej ministri Bilstrom. Sipas analizave të ditëve të fundit, vlerësohet se Presidenca suedeze kësaj radhe do të jetë thelbësore për Bashkimin Europian, me shumë çështje të ndjeshme, duke filluar nga fati i Traktatit të Lisbonës, një kartë e re e propozuar në Bashkimin Europian, për të cilën shumë liderë thonë se është thelbësore për kontinentin nëse synon të shtojë ndikimin në skenën ndërkombëtare. Me ekonomi në rënie, suedezët do të përballen me rezistencë në përpjekjet për të vendosur rend në financat e dërrmuara publike të këtij blloku, pastaj është edhe çështja e ndryshimeve klimatike dhe fakti nëse Europa mund të imponojë një konsensus përpara bisedimeve globale që do të mbahen në dhjetor. Mbi të gjitha është ndjesia e pasigurisë që është krijuar për shkak të referendumit në muajin tetor, kur Irlanda voton për herë të dytë mbi Traktatin e Lisbonës. Tomas Klau, nga Këshilli Europian për Marrëdhënie me Jashtë, ka thënë se Traktati i Lisbonës "është çështja më e madhe për suedezët dhe ata nuk kanë asnjë mundësi për të ditur se si do të përfundojë ky proces". Traktati i Lisbonës synon t‘i ndryshojë procedurat në vendimmarrje dhe për të emëruar një president të përhershëm të Këshillit Europian, por për ta fuqizuar atë, duhet që të 27 vendet anëtare ta ratifikojnë.