45 ditë pas zgjedhjeve fillon auditi i partive
Jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për çdo subjekt zgjedhor, KQZ emëron me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar të përzgjedhur sipas Kodit Zgjedhor. Ata kanë për detyrë për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore. Raporti i auditimit paraqitet në KQZ brenda afatit të përcaktuar në vendimin e emërimit. Raporti nuk mund të përfshijë të dhëna personale të dhuruesve nën vlerën e parashikuar në Kodin Zgjedhor. Subjektet zgjedhore duhet të vënë në dispozicion të ekspertit të emëruar nga KQZ, çdo informacion, dokumente apo të dhëna që kanë të bëjnë me financimin dhe shpenzimet e fushatës zgjedhore sipas këtij Kodi. KQZ mund të bëjë verifikime të të dhënave të raportit. Verifikimi mund të përshijë edhe pyetjen e personave dhe subjekteve të ndryshme, këqyrjen e dokumenteve që lidhen me këtë çështje, pranë zyrave përkatëse të subjektit zgjedhor që ka paraqitur raportin, si dhe marrjen e çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë, të cilët mund të tregojnë mbi të dhënat e paraqitura në raport. KQZ publikon raportet e auditimit për subjektet zgjedhore jo më vonë se një muaj nga data e paraqitjes së raportit, ose sipas rastit nga data e mbylljes së verifikimeve përkatëse. Mosrespektimi i rregullave të përcaktuara në këtë kapitull nga subjektet zgjedhore apo dhuruesit, në rast se nuk përben vepër penale është kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet sipas parashikimeve në këtë kod.