Vizita e PS-së në tunel, Noka: E turpshme
Deputetët e mazhorancës lëshuan dje gjatë seancës plenare akuza për deputetët e zgjedhur të PS-së, të cilët vizituan dy ditë më parë tunelin e Kalimashit. Deputeti i PD-së, Flamur Noka, e cilësoi si të turpshme vizitën e deputetëve të zgjedhur të PS-së në tunelin e Kalimashit. “Kjo vizitë ishte gjëja më e panatyrshme që bëri opozita, sepse kanë treguar se në rastin më të keq nuk e duan fare këtë rrugë. Fakti që deputetët e opozitës nuk shkuan asnjëherë të vizitonin rrugën, por shkuan kur u dha një lajm se u shemb diçka në tunel, tregon se i meritojnë fjalët që u thanë banorët. Ata janë shndërruar në një tufë delesh të një bariu të pabindur”, - tha Noka. Ai më tej akuzoi Edi Ramën për sulmet e bëra ndaj kësaj vepre. “Si deputet i qarkut të Kukësit, siguroj Edi Ramën se rruga Durrës-Kukës është Rruga e Kombit, me një vlerë të jashtëzakonshme për vendin”, - tha më tej Noka. Edhe deputetja e PD-së, Arenca Trashani, lëshoi akuza mbi opozitën, duke e cilësuar bojkotin e saj si të papërgjegjshëm. Deputetët e tjerë të mazhorancës si Aldo Bumçi dhe Gerti Bogdani, bënë thirrje për kthimin e opozitës në Kuvend.