Vizat, PS: Berisha, fjalë boshe. Dështimi për faj të qeverisë
TIRANË- Fjalë boshe i ka quajtur sot Partia Socialiste premtimet e kryeministrit Sali Berisha për plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave, ndërkohë që ka kujtuar se nëse sot shqiptarët janë të diferencuar nga serbët, malazezët dhe maqedonasit për lëvizjen e lirë, faji është i dështimit të qeverisë.
Gjatë një komunikimi me mediat, deputeti Ditmir Bushati ka theksuar se "Qëndrimi i fundit i institucioneve europiane evidenton qartë faktin se shqiptarët për shkak të dështimeve të qeverisë Berisha në përmbushjen e standardeve të kërkuara nuk do të mund të lëvizin lirisht në hapësirën Shengen nga 19 Dhjetori I këtij viti, sikundër maqedonasit, serbët dhe malazezët".
Sipas tij, megjithëse jemi vendi i parë në rajon që kemi firmosur një marrëveshje ripranimi me Komunitetin Europian në vitin 2005, kemi negociuar një nen dhe deklaratë të posaçme në MSA që në vitin 2005 për reformat që duhet të ndërmerrnim në funksion të perspektivës së liberalizimit të vizave, sot gjendemi të fundit si pasojë e dështimeve të qeverisë Berisha.
Në emër të PS-së, ai i ka bërë thirrje qeverisë Berisha që të heqë dorë nga propaganda boshe që kërkon fajtorët e dështimit në radhët e opozitës dhe të përqendrohet tek detyrat e shtëpisë; programet antikorrupsion; qëndrueshmëri në policinë e shtetit; heqjen dorë nga emërimet dhe shkarkimet abuzive; monitorimin e kufijve dhe krimin e organizuar.