Topalli: Shqipëria, shumë afër BE-së
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, deklaroi dje në Kuvend se Shqipëria po plotëson aspiratat e saj evropiane. “Në këto ditë, përkujtimi e meditimi, çdonjëri prej nesh u shpjegon të rinjve nën 20 vjeç, që për fatin e tyre nuk e provuan asnjë ditë murin e lartë të dhunës të Shqipërisë, se ku ishim, se ku jemi dhe ku po shkojmë”, - tha Topalli. Sipas saj, disa sot ende mendojnë se do të ishin përjetë në pushtet. “20 vjet më parë, Honekeri i çuditur tha: “Ne mendonim se në pushtet duhet të jemi përjetë”. Kështu mendonin edhe në Shqipëri. Mendonin se vetëm ato duhet të kishin pushtetin. E nëse nuk do e kishin vetëm ato, kjo nuk ishte e ligjshme. Nëse nuk ishin ato, kishte krizë. Nëse nuk ishin ato, do rrëzonin me dhunë të tjerët. Nëse do ishte ai… vizat do hiqeshin për 7 ditë”, - deklaroi më tej Topalli. Më tej, ajo ftoi deputetët e opozitës të vijnë në Kuvend, në mënyrë që, sipas saj, të marrin pjesë në ngjarjet historike të vendit. “Shfrytëzoj edhe një herë rastin për të ftuar deputetët e opozitës për të ushtruar detyrën e tyre dhe për të mos humbur shansin historik për të qenë edhe ato pjesë e realizimit të këtyre ëndrrave”, - deklaroi Topalli.