Shoqata përçan keqas gjyqtarët
Dalin në pah mëritë mes brezit të ri të gjyqtarëve, që kanë mbaruar Magjistraturën dhe juristëve të vjetër
Gjyqtarët e dalë nga Shkolla e Magjistraturës paralajmërojnë krijimin e një shoqate më vete
TIRANË- "Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë" duket se nuk i ka kënaqur të gjithë gjyqtarët, sidomos ata që kanë mbaruar Shkollën e Magjistraturës. Prej kohësh, nëpër korridoret e Gjykatave të Shkallës së Parë dhe atyre të Apelit flitej nën zë për "mëritë" që ekzistojnë mes gjyqtarëve që kanë dalë nga Shkolla e Magjistraturës dhe atyre juristëve, që i kanë ngjitur një nga një shkallët e karrierës. Dita e djeshme ka nxjerrë mbi sipërfaqe këtë përplasje, deri tash të heshtur mes brezit të ri dhe atij të vjetër të gjyqtarëve. Gjyqtarët e Shkollës së Magjistraturës kanë njoftuar dje një tjetër iniciativë, atë të krijimit të një shoqate më vete, duke u ndarë nga gjyqtarët të cilët nuk e kanë mbaruar këtë shkollë. Kreu i Gjykatës së Tiranës, Albert Meçe, ka lexuar në mbledhjen e mëngjesit një njoftimpër gjyqtarët e dalë nga kjo shkollë, duke i ftuar ata t'i bashkohen shoqatës së re.
***
"Edhe gjyqtarët janë po aq të sëmurë sa politikanët për karrigen e drejtuesit",-pohoi dje një gjyqtar i vjetër, pasi kishte dëgjuar për thirrjen e Albert Meçes. Mesa duket, përplasja mes juristëve dhe atyre që kanë mbaruar Shkollën e Magjistraturës për gjyqtarë ka dalë sheshit dhe pritet që në ditët në vazhdim të regjistrojnë edhe shoqatën e tyre. Ndërkohë, disa ditë më parë, rreth 64 gjyqtarë të Shkallëve të Para dhe Apelit, të mbledhur në një takim së bashku, bënë të ditur krijimin e "Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Shqipërisë". Por, regjistrimi i kësaj shoqate është bllokuar pranë Gjykatës, aty ku kjo shoqatë duhet të regjistrohet për të filluar funksionimin e saj. Mësohet se gjyqtares që i ka rënë në short regjistrimi i kësaj shoqate, i është bërë presion për mosregjistrimin e saj nga gjyqtarët e Shkollës së Magjistraturës, të cilët nuk duan të regjistrohet kjo shoqatë. Për shkak të këtyre debateve mes gjyqtarëve, mbrëmjen e kaluar është zhvilluar një takim urgjent i Këshillit Drejtues të asamblesë së Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, për të qartësuar problemet mes tyre.
***
Shoqata e gjyqtarëve u krijua me vullnetin e një grupi prej 64 profesionistësh, të cilët u quajtën anëtarë themelues ose nismëtarë të krijimit. Sipas tyre, ndër qëllimet kryesore për të cilat është ngritur kjo shoqatë është zhvillimi në rritje i sistemit gjyqësor me qëllim uljen e fenomeneve negative që cenojnë dhe dëmtojnë figurën e gjyqtarit. Konsolidimi dhe mbrojtja e pavarësisë së gjyqtarëve dhe sistemit gjyqësor në tërësi, inspirimi i vlerave të gjyqtarëve, zhvillimi i mëtejshëm i profesionalizmit të gjyqtarëve, ndikimi në rritjen e besimit të publikut te gjyqësori, rritja e autoritetit të sistemit gjyqësor janë disa nga objektivat e shpallur. Mësohet gjithashtu se shoqata do të ketë edhe organet drejtuese, të cilët janë Asambleja e Përgjithshme, e cila përbëhet nga të gjithë anëtarët e shoqatës, Këshilli Drejtues, i cili përbëhet nga 15 veta, që zgjidhen nga asambleja dhe kryetari që zgjidhet gjithashtu nga asambleja. Zyra e kësaj shoqate mendohet të jetë në bulevardin "Zogu i Parë" në Tiranë, ndërsa kryetare u zgjodh Manjola Bejleri, por vetëm pak ditë pas kësaj ngjarjeje, gjyqtarët e dalë nga Magjistratura paralajmërojnë krijimin e një tjetër shoqate.