Vizat, ekspertët e BE-së, kontroll i befasishëm në Tiranë për 3 kushtet shtesë

Mbërrijnë në Tiranë tre ekspertët e Komisionit Europian, me detyrën për të verifikuar në terren sa Shqipëria i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave. Zyrtarët e Brukselit do të qëndrojnë 3 ditë në Shqipëri dhe do të kenë takime dhe kontrolle mjaft të ngjeshura në institucionet të cilave u janë lënë edhe detyrat kryesore për t’u përmbushur në bazë të rekomandimeve të bëra më 27 maj të këtij viti. Ndalesa e parë e ekspertëve europianë ka qenë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku kanë qëndruar përreth 1 orë e 30 minuta. Ekspertët kanë diskutuar mbi ligjin e mbrojtjes së dëshmitarit dhe ligjin e policisë gjyqësore, i cili u miratua në seancën e fundit nga Kuvendi. Dje, rreth orës 15:00, ekspertët e BE-së kanë mbërritur në Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Krimit, ku janë njohur me punën e bërë në drejtim të bllokimit të aseteve kriminale, si dhe rezultatet e arritura falë zbatimit të ligjit antimafie. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme ekspertët do të jenë në Ministrinë e Brendshme, për t’u takuar edhe me ministrin Lulzim Basha. Në axhendën e të dërguarve të Brukselit janë parashikuar kontrolle edhe në Prokurorinë e Përgjithshme, si dhe në disa njësi të Task Forcës kundër krimit të organizuar.
Pasi të kenë përfunduar punën në terren përgjatë tri ditëve, do të japin vlerësimin nëse Shqipëria i ka përmbushur ose jo detyrat e lëna.
Dje pasdite ka përfunduar seanca e Komisionit për Liri, Drejtësi dhe çështjet e Brendshme në Parlamentin Europian (LIBE), ku eurodeputetja Tanja Fajon bëri propozimin për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. Fajon kërkoi nga Komisioni Europian që në shtator të bëhet propozimi për liberalizimin e vizave, duke vënë në dukje progresin e arritur nga të dyja vendet. Fajon tha se të dyja vendet e meritojnë liberalizimin e vizave me hapësirën Shengen të Bashkimit Europian.
Reporterja e Komisionit të Politikës së Jashtme në Parlamentin Europian, Sara Ludford, u shpreh se në fillim të shtatorit komisioni do të jetë gati me opinionin e tij. Eurodeputeti Simon Busutil, në emër të Grupit të Partive Popullore, nga ana e tij shprehu mbështetjen për vendimin që do të merret sapo të konfirmohet vlerësimi i Komisionit Europian për plotësimin e të gjitha kushteve.
Kështu, të dy grupet më të mëdha të PE-së e kanë shprehur mbështetjen e tyre për liberalizimin e vizave. Ndërkohë, përfaqësuesit e komisionit konfirmuan se do të raportohet për përmbushjen e kushteve më 2 shtator. Nga ana tjetër, përfaqësia e Presidencës belge të BE-së, e pranishme në këtë seancë, e konsideroi këtë proces si teknik dhe premtoi se sapo komisioni të ketë raportin gati dhe të ketë konfirmuar plotësimin e kushteve, Presidenca belge do të mundësojë diskutimet në kohë në Këshillin e Ministrave të BE-së sipas procedurave. Pritet që në shtator të kenë mbaruar procedurat teknike të miratimit në PE dhe çështja të kalojë për vendimin përfundimtar në Këshillin e Ministrave të BE-së. 20 ditë pas këtij vendimi, hyn në Fletoren Zyrtare dhe shqiptarët do të mund të udhëtojnë të lirë pa viza menjëherë pas këtij hapi.
#