Përmbarimi sekuestron apartamentin e të kërkuarit
Përmbarimi i Tiranës ka bërë sekuestrimin e parë të një pasurie, që mendohet se ka ardhur nga veprimtari kriminale, ndërkohë që sot priten sekuestrime të reja. Sekuestrimi i parë ka të bëjë me një apartament te rruga “Irfan Tomini” dhe që mendohet se i përket një personi të shpallur në kërkim për gjobëvënie dhe pengmarrje. Ndërsa sot, Përmbarimi i Tiranës pritet të sekuestrojë disa pasuri, që mendohet se i përkasin Bandës së Lushnjës. Ky është apartamenti i parë i sekuestruar në emër të ligjit Antimafia. Punonjës të Përmbarimit të Tiranës, të shoqëruar dhe nga efektivë të Komisariatit Nr. 2, të zonës pranë Tiranës së Re, kanë ekzekutuar të parin vendim gjyqësor mbi sekuestrimet ndaj personave që gjykohen për krime të rënda. Kreu i Përmbarimit të Tiranës, Arjan Bylykbashi, tha se emra të njohur dhe të panjohur, të cilët gjykohen nga Krimet e Rënda, disponojnë apartamente, konto bankare dhe pasuri të patundshme, të cilat pritet të sekuestrohen me hyrjen në fuqi të ligjit Antimafia. Ky rast ka të bëjë me Markelian Kuqin nga Lezha, i cili akuzohet dhe është shpallur në kërkim për një vepër penale të konsumuar tre vjet më parë në Greqi. Bëhet fjalë për një pengmarrje dhe gjobëvënie ndaj një shtetasi që jetonte në vendin fqinj. Në dosjet që pritet të ekzekutohen janë edhe emrat e anëtarëve të disa prej bandave më famëkeqe, që aktualisht gjykohen për krime të rënda, siç është edhe Banda e Lushnjës. Ligji parashikon sekuestrimin e pasurive që nuk u është deklaruar burimi. Sekuestrimi është i pakthyeshëm, edhe nëse gjykata vendos në favor të të dëmtuarit, që mund të ankohet në gjykatë kundër këtij veprimi. Që në fillimet e hartimit të këtij ligji, kjo formë u pa si rruga më e mirë për t’i prerë burimet e financimit krimit të organizuar.
#