“Vizat, hapi i parë për të sjellë Shqipërinë më afër BE-së”

Komisionerja Malmstrom pret në takim ministrin Basha dhe grupin e të rinjve që e shoqëronin
“Ky është hapi i parë për t’i sjellë qytetarët e Shqipërisë më afër atyre europianë”.
Kështu është shprehur dje Komisionerja Europiane për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, Cecilia Malmstrom, gjatë takimit që zhvilloi në selinë e Komisionit në Bruksel me Ministrin Lulzim Basha dhe grupin prej 50 të rinjsh e studentë, që ishin ndër të parët shtetas shqiptarë që udhëtuan pa viza në zonën “Schengen”.
“Edhe një herë dua t’ju përgëzoj dhe t’ju shpreh se sa e gëzuar jam që ne arritëm këtë ditë, madje përpara Krishtlindjeve, duke e kthyer atë në një dhuratë të bukur për Krishtlindjet. Ky është hapi i parë për të sjellë qytetarët e Shqipërisë më afër atyre europianë dhe është gjithashtu një hap i rëndësishëm për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. Është një proces ende i gjatë dhe i vështirë dhe ministri e di,por është në duart tuaja. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar dhe për t’ju mbështetur. Por, sigurisht që hapat duhen bërë nga ju”, u shpreh Komisionerja evropiane, Malmstrom.
Nga ana e tij, ministri Basha ka falënderuar Komisioneren Malmström për mbështetjen e dhënë në procesin e heqjes së regjimit të vizave dhe ka shprehur bindjen, se ky proces do të mirëkuptohet nga qytetarët shqiptarë, gjë që është shprehur edhe nga studentët e pranishëm në këtë takim. Duke konsideruar maturinë dhe informimin korrekt të shqiptarëve nga autoritetet e qeverisë, Malmström vërejti se vizat erdhën pas reformave progresive të demonstruara nga ekzekutivit i kryeministrit Sali Beisha.
“Shqiptarët kanë bërë shumë përpjekje dhe shumë reforma. Shpresoj se një ditë do t’ju mirëpresim si anëtarë të plotë të Bashkimit Europian. Por, mos hezitoni që t’i kërkoni më shumë politikanëve tuaj, që ata të vazhdojnë reformat që janë shumë të rëndësishme për juve, për vendin tuaj, por gjithashtu edhe për zgjerimin. Ky është dhe mesazhi im për ju sot. Mos jini të turpshëm, por jini kërkues për të ardhmen tuaj. Me heqjen e vizave shpresojmë që të shtojmë edhe shkëmbimet e biznesit,ta bëjmë më të lehtë për ta për të lëvizur dhe për të kryer shërbime të nevojshme, që do të bëjnë të mundur krijimin e vendeve të punës. Ne kemi nevojë për vende të reja pune në Europë”, tha më tej ajo në takimin me ministrin Basha, studentët dhe gazetarët shqiptarë.
Duke i uruar festat e fundvitit, ministri Basha i ka dhuruar komisioneres Malmstrom një punim artizanal të rrallë, ndërkohë që takimi ka vijuar me pyetje e përgjigje për mënyrën e funksionimit të institucioneve europiane.