Edi Rama rikthehet në bashki..., për të vjelë 20 për qindëshet e prapambetura
Edi Rama i rikthehet punëve të bashkisë. Në këtë fundvit festash, qëllimi i këtij rikthimi duket se është jo aq “meraku” për shërbimin ndaj komunitetit, se sa “meraku” i tij (Edi Ramës) për vjeljen e “gjobave” dhe “taksave” ndaj tenderfituesve të vitit 2010.
Edi Rama, i cili prej më se një viti nën dëshirën për përfitime politike, çnuk ka bërë me lojën “u hapën, s’u hapën kutitë”, por edhe me lojën “u hoqën s’u hoqën vizat”, për fatin e tij të keq, në 15 dhjetor mori një goditje, të rëndë e të dyfishtë, për të dy këto aksione të pretenduara prej tij, si politike.
Ndërsa në 15 dhjetor, saktësisht dy ditë më parë, Edi Rama kuptoi (megjithëse shumë me vonesë) se liberalizimi i vizave nuk mund të frenohej prej tij, mori edhe mandatën tjetër, në formë paradhënie nga Prokuroria e Shkodrës, se për ato kuti që u hapën, jo atij, por as Nard Ndokës, nuk i kishin vjedhur ndonjë votë. Biles, biles, në qoftë se do të tregohemi paksa cinikë, nuk mund të lëmë pa evidentuar, se ishte PD-ja ajo që figuronte me një votë më pak nga hapja e kutive të votimit për Qarkun e Shkodrës.
Pas kësaj, Edi Rama, “duke mos i bërë zemra” të thotë një fjalë të mirë për fillimin e lëvizjes së lirë pa viza drejt vendeve të BE-së për shtetasit shqiptarë, duket “e gjeti me vend” që edhe për kutitë e Shkodrës, t’ia besojë sulmin ndaj prokurorisë së këtij rrethi, Nard Ndokës...
... Ndërsa vetë u kujtua se kishte disa hesape pa mbyllur me punët publike të bashkisë dhe për të mos i humbur edhe këto përfitime të konsiderueshme financiare, dje u rikthye në krye të punëve të punës së tij “parte time”, për t’ju kujtuar tenderfituesve, se ndërsa thesari i shtetit është në kufijtë e mbylljes për këtë vit, thesari i tij (Edi Ramës) vazhdon të qëndrojë i hapur, për “arkëtimin” e “gjobave” e “taksave” ( e thënë ndryshe, 20 për qindësheve) të prapambetura.
Shfaqja e djeshme e Edi Ramës me cilësinë e kryebashkiakut të Tiranës, një herë duke udhëtuar me autobusin e ri të linjës së “Porcelanit” dhe një herë duke “hapur” kutinë e dëshirave, në formë dekori për festat e fundvitit, përveçse ishin “lajme” pa interes për konsum publik, ishin përcjellje mesazhesh ndaj tenderfituesve, se ai është edhe kryetar i bashkisë së Tiranës. Si i tillë, për shpërndarjen e tenderëve që ka bërë gjatë gjithë vitit ndaj “komunitetit” të biznesmenëve, “bashkëpunëtorë” të tij, në këtë fundviti, ka detyrimin, jo aq ndaj vetes, se sa ndaj familjes së re të krijuar, për të vjelë shpërblimet (le të themi 20 për qindëshet), për “punët publike” që ai ka lënë në dorën e “të besuarve” të tij, për kohën kur ai vetë, duhej të konsumohej për “(mos)hapjen e kutive” dhe për “(mos)liberalizimin e vizave”.
Fundviti që po troket edhe për Tiranën, “premton” shfaqje të tjera të Edi Ramës si kryetar bashkie, ku mesazhet e fshehura për detyrimet 20 për qindëshe ndaj tij, sa mund të jenë të fshehura, aq edhe mund të jenë të kuptueshme, pas çdo shiriti që kryebashkiaku ka mprehur gërshërët për të prerë...