Prokuroria e Pergjithshme Trafiku i organeve nuk ekziston ne Shqiperi
Prokuroria shqiptare përjashton në mënyrë kategorike ekzistencën e një kampi të UÇK-së në Shqipëri, për tortura, vrasje dhe viktima të trafikimit të organeve. Sipas zyrës së akuzës qendrore, drejtësia shqiptare ka hetuar me përgjegjësi të plotë çdo lloj pretendimi të shteteve të interesuara, madje në vitin 2004, disa hetues të prokurorisë pranë Gjykatës së Hagës kanë ardhur në vendin tonë, ku kanë kryer një verifikim të hollësishëm në një banesë në qytetin e Matit. Pas hetimeve, ku janë marrë kampionë dhe të dhëna të mjaftueshme, nuk ka rezultuar se në banesën në fjalë kryhej transplant organesh. Këshilltari për mediat pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Plator Nesturi, tha dje për gazetën “Shqip” se disa vite më parë raportuesi i KE-së, Dick Marty, ka qenë në vendin tonë dhe është shoqëruar nga përfaqësues të prokurorisë në vendin e caktuar. “Prokuroria shqiptare ka hetuar këto fakte të bëra publike fillimisht nga ish-kryetarja e Gjykatës së Hagës, Karla del Ponte. Nga hetimet rezultoi se nuk ka pasur kamp dhe aq më tepër vend i cili përdorej për transplant organesh”, tha Nesturi, duke shtuar se Marty nuk ka paraqitur asnjë fakt për ekzistencën e një banese në qytezën e Fushë-Krujës. Ai tha se prokuroria shqiptare nuk ka gjetur prova që të faktojë një pretendim të tillë dhe çështja është pezulluar dhe rishikuar disa herë. Një grup pune me ekspertë dhe hetues të Hagës kanë shkuar në fshatin Gurrë. Në vendin ku pretendohej se kishte qenë klinikë, banonte një familje, e cila ditën e hetimeve është nxjerrë jashtë. Hetuesit e Hagës, në bashkëpunim me prokurorin e Matit, A.D., kanë verifikuar banesën, duke përdorur dhe aparatura të specializuara me rreze x për të përcaktuar nëse në banesë kishte mbetje gjaku. Nga kontrolli nuk ka rezultuar asnjë pretendim për një klinikë të mundshme të transplantit të organeve. Verifikimi ka vazhduar edhe në disa zona të tjera, ku ka rezultuar se nuk kishte asnjë provë që të vërtetonte se kishte të vrarë serbë, aq më tepër të qenë kryer transplante organesh.