E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, ministrat e Jashtëm të BE mbështesin Kosovën

BRUKSEL- Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së mbështetën të hënën në Bruksel synimet e Komisionit Europian, për të nisur dialogun për liberalizimin e vizave deri në fund të vitit. Ata ndërkaq kërkuan nga Serbia që të bëjë progres në çështjen e bashkëpunimit rajonal dhe të zbatojë marrëveshjet që ka arritur me Kosovën. Gazeta Express shkruan se “këto dy çështje do të merren parasysh të premten nga shefat e shteteve të unionit kur të marrin vendimin rreth kandidaturës së Serbisë”.

Por vendimi pritet të merret më 9 dhjetor në Samitin Këshillit Europian.
“Këshilli mirëpret qëllimin e Komisionit për të nisur dialogun e vizave deri në fund të vitit pa paragjykuar pozicionin e shteteve anëtare rreth statusit, nëse të gjitha kushtet përmbushen në mënyrë efektive” thuhet në konkluzionet e Ministrave.

Po ashtu Këshilli i BE-së është shprehur i përkushtuar rreth pjesëmarrjes së Kosovës në programet e BE’së pa paragjykuar statusin, duke përmendur çështjen e fillimit të dialogut të strukturuar për sundimin e ligjit. Këshilli i ka bërë thirrje Komisionit që të vlerësojë marrëdhëniet tregtare me Kosovën duke përmendur nënshkrimin e një marrëveshje sa më parë që të jetë e mundur.

Këshilli po ashtu i ka dhënë përkrahje anëtarësimit të Kosovës në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim duke thënë se zhvillmi ekonomik do të rritej në këtë mënyrë.
Vendet anëtare të Bashkimit Europian nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët rreth kandidaturës së Serbisë për anëtarësim në BE edhe pas një debati të gjatë të hënën në Bruksel. Kundërshtarët më të mëdhenj kanë mbetur edhe më tej Gjermania dhe Britania e Madhe përderisa Austria e cila po ashtu ka një qëndrim kundërshtues ka provuar të zhbllokojë këtë situatë. Ministri i Jashtëm i Austrisë Michael Spindelegger ka propozuar që Serbisë ti jepet një status me kusht i kandidatit.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›