E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, sa shqiptarë do të mbeten këtu?

Autori i Lajmit: Nga Zamir Alushi
Kur Edi Rama iu qep fasadave dhe i bëri ato një çështje dite për politikën, median dhe njerëzit e thjeshtë nëpër kafene, ia doli të krijonte sfondin që i duhej për të punuar dhe “bleu” kohë derisa të gjente para për projekte të mëdha rindërtimi në kryeqytet. (Ato me të cilat është krenuar dhe vlerësuar për tri mandate rresht). Ky stil i të qeverisurit me reklamë dhe me fushatë është përvetësuar edhe nga kabineti “Berisha” dhe po përdoret gjerësisht, ndonjëherë edhe pa vend.
Rasti i vizave është një i tillë. Nuk ia vlen të bëhet kaq zhurmë dhe të kapitalizohet liberalizimi i pritshëm i vizave nga BE për Shqipërinë. Nga sa kemi informacion, në asnjë nga vendet e rajonit, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, ky eveniment nuk përbën kalin e betejës së qeverive. Megjithëse kishin të drejtë të krenoheshin, i gjithë ky proces ka kaluar rutinë dhe është bërë lajm vetëm kur Brukseli dha dritën jeshile. Lëvizja e lirë është një e drejtë më se normale, një e drejtë njerëzore, që nuk buron nga standardet burokratike, që po i fetishizon qeveria dhe po na i servir ditë për ditë si meny e ushqimit tonë. Eshtë e vërtetë se ky proces mori ngjyra politike, deri diku në mënyrë të maskuar problemi i mënjanimit të Shqipërisë u quajt edhe fetar, pati edhe një lëvizje të intelektualëve dhe politikanëve evropianë që kërkuan korrektimin e këtij gabimi (mospërfshirjen e Shqipërisë në Listën e Bardhë Shengen). Por në fund, pasi e rafinojmë çështjen “Shengen”, ajo mbetet një problem diplomatik për tu lobuar dhe për tu zgjidhur dhe një problem administrativ i Ministrisë së Brendshme. Nuk është e drejtë që liberalizimi i vizave, në përfundim të të cilit, shumë njerëz do ti thonë këtij vendi dhe kësaj politike “Lamtumirë!”, të fryhet si tullumbace për politikë. Çështja është sa shqiptarë do të ikin nga halli, se ata që shkojnë për biznes, turizëm dhe bashkime familjare, udhëtojnë sot drejt BE-së në një regjim të lehtësuar vizash.
Imagjinojmë korrikun 2010. Na i hoqën vizat Shengen. Të nesërmen do të shkojmë të lirë të shesim krahun e fuqisë punëtore apo trurin, sipas kualifikimit. Ky është objektivi politik madhor i qeverisë? Ka shumë varfëri, papunësi, ka pak zhvillim, megjithë shifrat e rritjes ekonomike, ka pak shpresa për rininë, prandaj do të ketë një ikje masive drejt Perëndimit. Do tia vlente të vihej si objektiv që deri ditën e hapjes së kufijve të hapen një numër vendesh pune apo universitetet të kapin standardet e Kartës së Bolonjës, që rinia të shpresojë të marrë shkollim evropian në Shqipëri, të ngrihen pagat në nivele evropiane dhe të kemi më pak të varfër. Për këto qeveria flet kalimthi dhe jep llogari rrallë. (Shembull është mënyra sesi kaloi tangjent buxheti i vitit 2010, ku mungoi llogaridhënia për vitin 2009).
Mazhoranca vendos një objektiv të tillë, liberalizimin e vizave, madje e privatizon këtë projekt, demonizon opozitën, sikur protestat e saj pengojnë hapjen e Shengenit për Shqipërinë dhe kjo zhurmë mbulon keqqeverisjen. “Perëndimi i trembet dyndjeve masive nga Shqipëria”, - tha zëvendëskryeministri Meta, në raportimin për integrimin në BE, pak ditë më parë në Kuvend. Mirë është ti heqim këtë frikë Perëndimit, duke kthyer optimizmin te popullsia për jetë më të mirë në vend.

Ky lajm është publikuar: 22/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›