E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomatët: “Shqiptarët pa viza më 2010

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Diplomatët u kthejnë shpresën shqiptarëve për liberalizimin e vizave. Optimistë për lëvizjen e lirë janë shprehur dje përfaqësuesit e Francës dhe Holandës pas inspektimit të dy pikave të kalimit kufitar. Të shoqëruar nga ministri i Brendshëm, ambasadorët kanë verifikuar funksionimin e sigurisë në kufi dhe sistemin TIMS. Në përfundim të vizitës në pikat e kalimit kufitar, ata janë shprehur se shqiptarët mund të lëvizin të lirë në gjithë Evropën në mes të vitit 2010.

Inspektimi

Ambasadorja e Francës, Maryse Daviet, dhe ambasadori i Holandës, Henk van den Dool, shprehën dje besimin për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë në mesin e vitit të ardhshëm. Këto pohime, Daviet dhe Den Dool, i bënë dje, pasi vizituan Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë-Thanës së bashku me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha. Ambasadorët e Francës dhe Holandës vëzhguan në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë-Thanës se si funksiononte sistemi TIMS, si ndërlidhej ky sistem me sistemin MEMEX dhe me bazën e të dhënave të INTERPOL-it, si funksiononin kamerat e instaluara të vëzhgimit, si funksiononin lexuesit optikë të pasaportave biometrike, e po kështu edhe se si bashkëpunonin agjencitë e ndryshme që operojnë në kufi, policia kufitare, dogana, kontrolli fito-sanitar, shërbimi i antidrogës etj. Mbresëlënëse, e përkufizuan ambasadorja franceze dhe ambasadori holandez përshtypjen e tyre për funksionimin e sistemeve të kontrollit kufitar në këtë pikë të kalimit kufitar. Ambasadorja Daviet vlerësoi se është bërë një progres i shpejtë në fushën e menaxhimit të integruar të kufijve që është një çështje kyçe për liberalizimin e vizave.

Lëvizja e lirë

“Çdo shqiptar do të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave dhe ne presim të bëhen së shpejti hapa konkretë. Shpresojmë që liberalizimi i vizave të arrihet në mesin e verës së vitit të ardhshëm”, - u shpreh ambasadorja franceze, Maryse Daviet. Ambasadori Van den Dool shprehu kënaqësinë që progresi në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave ka qenë i dukshëm dhe i shpejtë si në fushën e dokumenteve të sigurta të udhëtimit edhe në fushën e sigurisë së kufijve.
“Ajo që ne shpresojmë është që misioni i Komisionit Evropian të konstatojë këtë progres dhe të japë sa më shpejt mbështetjen e tij për liberalizimin e vizave”, - deklaroi ambasadori holandez Henk Van den Dool. Ministri i Brendshëm, Basha, siguroi të dy ambasadorët se të njëjtën situatë mund të gjejnë në të 26 pikat e kalimit kufitar.

Përmbushja e kritereve

Basha theksoi se një rol të veçantë në përmbushjen e kritereve kanë pasaportat biometrike për të cilat Shqipëria po ecën me hapa jashtëzakonisht të mëdhenj përpara dhe me praktikën më të mirë evropiane, e në këtë aspekt përmendi faktin se pikërisht në koncesionarin e prodhimit të dokumenteve të identitetit operon një kompani prestigjioze franceze “Sagem”, ndërkohë që pasaportat prodhohen nga një kompani holandeze. Shqipëria, sa i përket kohës që kur ka nisur lëshimin e pasaportave biometrike, por edhe për sa i përket ecurisë, është përpara edhe në raport me vendet e tjera të Bashkimit Evropian, sepse gjatë këtij takimi u informova nga të dy ambasadorët se vendet e tyre respektive kanë nisur prodhimin e pasaportave biometrike vetëm para pak muajsh. E rëndësishme është që ne po ecim përpara me kriteret dhe besoj se në këtë drejtim, verifikimi që pritet nga Komisioni Evropian do të japë rezultatet e duhura për të arritur heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë brenda 6-mujorit të parë të vitit që vjen”, - deklaroi ministri i Brendshëm, Basha.
Ky lajm është publikuar: 22/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›