E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet 21-vjeçari i shpallur në kërkim

Autori i Lajmit: Redaksia
Autori i një sherri mes pesë të rinjsh është arrestuar dje, 6 muaj pas ngjarjes. Policia e Tiranës ka vënë dje në pranga Indrit Deliun, 21 vjeç. Ky i fundit ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit me vendim Nr. 583, dt.26.06.2009, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale të vrasjes në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë, në bashkëpunim dhe armëmbajtjes pa leje. Sherri mes palëve ka startuar pas arrestimit të Urim Allushit, pronarit të kompleksit, i cili ka sjellë edhe përplasjen mes 5 të rinjve, ku ka mbetur i plagosur një miku i tij. Ngjarja që ka ndodhur në Linzë të Tiranës në shkurt të këtij viti, ku Allushi bashkë me kushëririn e tij plagosën një person dhe tentuan të vrisnin 3 të tjerë, duket se nuk është harruar nga asnjëra palë. Fillimisht, për këtë ngjarje, ditën që ndodhi, u arrestua Alban Allushi dhe një muaj pas tij përfundoi në pranga edhe Urim Allushi. Por kjo ngjarje u pasua edhe me plagosje, kanosje dhe arrestime të tjera. Dy ditë më parë në lokalin e kushërinjve të Urim Allushit, Leonard dhe Altin Allushit, në rrugën "Myslym Keta" në Tiranë, ka pasur sërish një përplasje me armë. Burime nga policia bënë të ditur se njëri nga vëllezërit, Leonardi, në shenjë hakmarrje për arrestimin e kushëririt të tij ka kërcënuar me armë Jurxhin Shimën, mikun e Saimir Sulit, i cili mbeti i plagosur në shkurt në parkingun e lokalit. Më pas dy miqtë e Shimës, Indrit Deliu dhe Florind Grusi, kanë qëlluar me armë në drejtim të vëllezërve Leonard dhe Altin Allushi dhe mikut të tyre, Astrit Lozi. Ky i fundit ka mbetur i plagosur dhe është dërguar menjëherë në spital, ku tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë policia ka arrestuar Leonard Allushin, për kanosje dhe armëmbajtje pa leje dhe ka shpallur në kërkim Indrit Deliun dhe Florind Grusin, për vrasje të mbetur në tentativë.
Ky lajm është publikuar: 22/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›