E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizatime nga Parisi, vjen në kuadër të Pranverës Frankofone

Ekspozita e titulluar Vizatime nga Parisi, hap në kuadër të aktiviteteve të "Pranverës së Frankofonisë", në vendin tonë. Ky projekt përfshin realizimin e shumë aktiviteteve në qytete të ndryshme të Shqipërisë, me mbështetjen e Ambasadës Franceze në Tiranë. Ekspozita mban firmën e autorit Maks Velo, i cili ka prezantuar në një kënd të një lokali në Tiranë 50 punime të realizuara me bojë kine dhe pastel. I gjithë ky koleksion pasqyronte Parisin, qyteti shembull me arkitekturat e vjetra që paraqiten si simboli i kulturës botërore. Në punët e realizuara prej më se 15 vjetësh nga piktori Maks Velo vihej re ekspresiviteti i tij mes ngjyrave dhe linjave. Velo është një artist që krijon në disa gjini të artit, pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër është i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar. Shkrimet e tij gjithnjë kanë ngjallur polemikë për forcën dhe sinqeritetin e mendimi. Maks Velo u lind në Paris nga prindër shqiptarë, më 31 gusht të vitit 1935. Më pas familja e tij u kthye në qytetin e Korçës, ku piktori Velo kaloi dhe fëmijërinë. Ai përfundoi studimet pranë Institutit Politeknik në Tiranë, në degën e inxhinierisë së ndërtimit dhe më pas u specializua për arkitekturë. Arkitekt, shkrimtar, piktor dhe studiues, Maks Velo u kritikua në vitin 1975 nga regjimi komunist për tendenca moderniste në projektet e tij, për t'u dënuar më pas me 10 vjet burg. Ndër veprat e tij në letërsi përmenden "Kokëqethja", "Palltoja e burgut", "Thesi i burgut", "Paralele për arkitekturën", "Kohë antishenjë", "Jeta ime në figura ", etj. Pranvera e Frankofonisë" do të përfundojë më datë 31 mars, dhe do të jenë dhe shumë aktivitete të ndryshme, sikundër është fakt që nuk është vetëm ambasada franceze që do të iniciojë aktivitete në kuadër të kësaj stine në vendin tonë, por dhe ambasada të vendeve të tjera. Shumë prej veprave që do të vihen në skenën e teatrove shqiptare, janë dhe pjesë e këtyre aktiveve,pasi ato janë realizuar në sajë të ndihmës së artistëve francezë. Kështu premiera e baletit Gjenerali i ushtrisë së vdekur bazuar mbi romanin e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare erdhi në kuadër të këtyre veprimtarive. Kjo shfaqje baleti vjen me një vizion të ri hapësinor dhe trajtim skenik nga skenografi Valerio Ferrari (Francë), ndërkohë kostumet janë realizuar nga Anne Brault. Bashkëpunëtor dhe konsulente e koreografit është Laura Frigato. Edhe këtë vit do të ketë shumë manifestime në shumë qytete të Shqipërisë dhe sigurish edhe në Tiranë si: teatër, kërcime, koncerte, filma dhe dokumentarë frankofon, ekspozita fotografike, piktura, konferenca dhe debate rreth letërsisë frankofone, të kulturës frankofonë, me autore shqiptare si Fatos Kongoli, Edmond Tupja etj, gjithashtu do të ketë spektakle të organizuara nga institucionet shkollore dhe Aleancat Franceze, konkurse për gjimnazisteve. Përveç këtyre aktiviteteve të shumta Ambasada Franceze organizon pjesë në leximin dy gjuhësh te veprës Lëkura e Qenit¨ e Fatos Kongolit, me pjesëmarrjen e Edmod Tupes dhe aktorit dhe regjisorit francez Frantz Helmer.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›