E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thyhet skela, bien nga 30 metra lartësi 6 punonjësit e fabrikës

Aksident i rëndë në Fabrikën e Çimentos në Fushë-Krujë për mosrespektim kushtesh teknike. Plagosen 5 specialistë të huaj dhe një shqiptar. Nis hetimet policia dhe Ministria e Punës
Ardian Shpendi

FUSHË-KRUJË – Një tjetër aksident i rëndë në punë ka shkaktuar plagosjen e gjashtë punonjësve, të cilët po riparonin defektin në oxhakun e Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë, ku pjesa më e madhe e tyre janë shtetas të huaj. Dy prej tyre janë në gjendje të rëndë. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se dje, rreth orës 11:30, kanë mbetur të plagosur Elidon Arapi, Lajfi Levernat, Ali Sabah, Dunkan Rethoford, Besim Gashi dhe Llazi Stavenkovski, teksa po riparonin një defekt. Sipas këtyre burimeve, shkak është bërë thyerja e skelës, gjë që ka shkaktuar rënien nga një lartësi prej 30 metrash të specialistëve shqiptarë dhe të huaj. Mbrëmë vonë raportohej se gjendja shëndetësore e Llaze Spavenkovski nga Maqedonia
ishte kritike për shkak të plagëve të marra. Ndërsa të tjerët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Shembet skela
Dy specialistët jordanezë, Lajfi Jevernat dhe Ali Sabah, eksperti anglez Dunkan Rethoford dhe tre specialistë shqiptarë nga Shqipëria dhe Maqedonia ishin ngjitur në majën e oxhakut të Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë për të riparuar një defekt.
Pesha e madhe e tyre dhe cilësia e dobët e konstruksioneve mbajtëse ka bërë që të shembej skela e lartë mbi 30 metra, në të cilën ndodheshin punonjësit. Për pasojë, mbetën të plagosur rëndë Dunkan Retherford, 52 vjeç, nga Anglia, Elidon Arapi, 25 vjeç, shqiptar, Lajvi Jevernant dhe Ali Sabija, 50 vjeç, që të dy nga Jordania, Besim Gashi, 37 vjeç dhe Llazi Stavenkovski, që të dy nga Maqedonia.
Sipas policisë, punonjësit e aksidentuar i përkasin një tjetër firme që merrej me riparimet e defekteve të fabrikës. Një tjetër firmë kishte punuar që në orët e para të mëngjesit për vendosjen e skelave dhe pikërisht rreth orës 11:30, kur të specialistët po riparonin defektin në oxhak, janë shembur.
Të aksidentuarit janë dërguar menjëherë drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë me mjetet e Spitalit të Krujës dhe të Poliklinikës së Fushë-Krujës, si dhe makina të tjera private.
Trajtimi mjekësor
Burimet në Spitalin Ushtarak bëjnë të ditur se dy shtetasit e huaj, Dunkan Rethoford dhe Llazi Stavenkovski, janë në gjendje më të rëndë shëndetësore se të plagosurit e tjerë. Drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihaj, thotë se 55-vjeçari maqedonas ka pësuar dëmtime të shumta, sidomos në pjesën e kafkës. Ndërsa të tjerët kanë pësuar shembje në pjesë të ndryshme të trupit. Mjekët e spitalit kanë marrë masa për t’u dhënë ndihmë mjekësore të gjithë personave të aksidentuar.
Hetimet për ngjarjen
Menjëherë pas ngjarjes, policia e Krujës ka nisur hetimet në bashkëpunim me ekspertët e Prokurorisë së këtij rrethi. Sipas burimeve zyrtare mësohet se aksidenti është shkaktuar nga thyerja e skelës, e cila nuk ka mbajtur peshën e 6 personave që ndodheshin sipër tyre. Sipas policisë, teknikët kanë rënë nga një lartësi prej 35 metrash nga oxhaku, i cili është i lartë rreth 70 metra. Gjatë rënies prej lartësisë të gjithë kanë pësuar fraktura serioze në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit. Në lidhje me ngjarjen është marrë në pyetje drejtuesi i Fabrikës së Çimentos si dhe përgjegjësi i sektorit ku po kryhej riparimi i defektit. Nga të dhënat e para në grupin hetimor mësohet se 6 personat e aksidentuar nuk kanë zbatuara rregullat e sigurimit teknik. Më 14 shkurt të këtij viti, në Fabrikën e Çimentos në Fushë-Kujë zhvilloi një takim edhe ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, i cili, pasi pa kushtet e punës, deklaroi se “kjo është një fabrikë që plotëson parametrat europiane, pasi ka kushte të shkëlqyera pune”. Ky aksident vjen në vazhdën e disa ngjarjeve tragjike të ndodhura në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan, apo në Minierën e Kromit në Bulqizë, ku shkak mbeten kushtet e vështira të punës dhe mosrespektimi i rregullave të sigurimit teknik.

TË PLAGOSURIT

Llaze Spavenkovski, 55 vjeç, nga Maqedonia
Dunkan Retherford, 52 vjeç, nga Anglia
Elidon Arapi, 25 vjeç, nga Shqipëria
Ali Sabija, 50 vjeç, nga Jordania
Lajfi Jevernat, 35 vjeç, nga Jordania
Besim Gashi, 37 vjeç, nga Maqedonia.

13 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›