Vizita në Katar, Berisha: Projekte gjigande investimi
Kryeministri siguron investime të mëdha në Shqipëri
Projekte konkrete në turizëm dhe energji
Kryeministri Sali Berisha ka siguruar një bashkëpunim të gjerë me Katarin, në vizitën e tij zyrtare në shtetin arab. Kreu i qeverisë shqiptare u takua me krerët më të lartë të shtetit të Katarit, nga ku arriti të konkretizonte disa projekte gjigande investimesh në Shqipëri. Vizita u konkretizua edhe me nënshkrimin e një marrëveshjeje të bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe teknik mes dy vendeve. Në takimin me homologun e tij, kreun e qeverisë së Katarit, Sheik Hamad bin Jasem bin Jabr Al Thani, u diskutua gjerësisht për bashkëpunimin mes dy vendeve si dhe për investimet private në Shqipëri.
Projektet
Gjatë konferencës për shtyp, Kryeministri i Katarit theksoi se investime të mëdha kanë filluar në Shqipëri në fushën e turizmit, ku një kompani e fuqishme e Katarit po bën një investim gjigand në një zonë turistike dhe po ecën mjaft mirë me këtë projekt. Ai tha se nga investitorët e Katarit është shprehur interes në shumë fusha të tjera, si në energji, në minerale, në plantacionet frutore dhe në projektin e ullirit, një projekt që ka tërhequr në mënyrë të veçantë vëmendjen, si dhe projekti madhor i rigazifikatorit, një projekt rajonal me interes të përbashkët. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve vendas, Berisha ftoi investitorët të vinin në Shqipëri. “Ne, - tha Kryeministri, - vendosëm synime për disa marrëveshje të tjera që do të nënshkruhen në Tiranë dhe të krijojmë të gjithë infrastrukturën ligjore për bashkëpunimin midis dy vendeve tona”. Ai mori shembullin e kompanive nga Katari që punojnë në fushën e turizmit në Shqipëri të cilat po përparojnë shumë shpejt. Në takim, kryeministrat diskutuan për krijimin e një baze për investitorët si dhe nënshkrimin e marrëveshjes për lehtësimin e regjimit të vizave dhe nënshkrimin e marrëveshjes për taksimin e dyfishtë.
Rigazifikatori
Një tjetër projekt konkret i diskutuar mes dy kryeministrave, ishte edhe një rigazifikator gjigand. Të dy homologët u ndalën veçanërisht në projektin e madh të rigazifikatorit dhe projekte të shfrytëzimit të gazit të lëngshëm dhe depozitave të gazit në Shqipëri. Në këtë aspekt, Kryeministri i Katarit tha se do të nxiste dhe organizonte takime konkrete për sa i përket këtij projekti madhor dhe projekteve të tjera të shfrytëzimit të gazit në Shqipëri. Projekti në fjalë është një investim në shuma të mëdha. Kryeministri i Katarit shprehu mbështetjen e qeverisë së tij për projektin e rigazifikatorit. Biseda mes dy kryeministrave u ndal edhe në realitetin mes vendeve. Kryeministri Berisha e informoi homologun e tij se lufta me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar ka dhënë rezultatet e saj, duke bërë të mundur që vitin që kaloi 2 700 000 turistë të vizitonin Shqipërinë pa asnjë incident. Berisha përmendi edhe reformat ekonomike. Kryeministri i Katarit, Sheik Hamad bin Jasem bin Jabr Al Thani, vlerësoi arritjet e qeverisë së Kryeministrit Berisha. “Dua t’ju përgëzoj personalisht, sepse jam në dijeni të angazhimit që keni ndërmarrë ju dhe qeveria që ju drejtoni për investimin e madh të buxhetit tuaj në infrastrukturë, pasi infrastruktura është baza më e mirë për çdo zhvillim tjetër”, - tha Kryeministri i Katarit. Ai vlerësoi vizitën e Kryeministrit Berisha në Katar dhe u shpreh se së shpejti edhe ai do të vizitonte Shqipërinë, në kohën më të afërt.
Emiri i Katarit: Më shumë investime në Shqipëri
Kryeministri Sali Berisha, gjatë vizitës së tij në Katar, u takua edhe me Lartësinë e tij, Emirin e Katarit, Sheik Hamad bin Kalifa Al Thani. Gjatë takimit mes tyre, Emiri i Katarit tha se Shqipëria është një prioritet për të investuar dhe premtoi se do të angazhohej personalisht për të rritur praninë e investuesve të Katarit në Shqipëri. Ai dha mbështetjen e tij edhe për projektin e gazit. Emiri Al Thani u shpreh shumë i interesuar për mundësitë që ofron Shqipëria për afrimin e kompanive të mëdha. Ai tha se komuniteti i biznesit kishte shprehur interes të veçantë për turizmin, duke qenë se 30 për qind e popullsisë së Katarit gjatë gjithë vitit e shfrytëzonte shumë atë. “Në këtë aspekt, edhe turizmi shqiptar do të përbënte një fushë me shumë interes për ta, - sikundër theksoi se, - edhe shfrytëzimi i mineraleve dhe potencialeve të tjera që ofron Shqipëria, janë fusha me interes për komunitetin e biznesit të Katarit”, - tha Emiri i Katarit. Kryeministri Berisha bëri një ekspoze për mundësitë e Shqipërisë dhe reformat e realizuara. Gjatë takimit, u diskutua edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës, për të cilën Kryeministri Berisha u shpreh se 55 vende e kanë njohur atë dhe do të ketë një vazhdimësi njohjesh nga vende mike. Kryeministri Berisha u shpreh se shpresonte se edhe Katari do ta vlerësonte njohjen e Kosovës. Emiri Al Thani tha se ishte duke e vlerësuar me shumë seriozitet kërkesën për njohjen e Kosovës. Ai u shpreh se e gëzonte ecja e Kosovës në rrugën e modernizimit. Emiri iu përgjigj shumë pozitivisht ftesës së Kryeministrit Berisha për të vizituar Shqipërinë.
Kryeministri në “Al Xhazira”: Njohja e Kosovës, e rëndësishme nga kombet arabe
Në vazhdim të vizitës së tij në shtetin e Katarit, Kryeministri Sali Berisha mori një ftesë nga televizioni i njohur “Al Xhazira”. Në intervistën e dhënë në këtë media, Berisha u pyet në lidhje me pavarësinë e Kosovës dhe për rëndësinë e njohjes së saj nga vendet arabe. Gazetari e nisi bisedën me Kryeministrin me kërkesën e 50 mijë shqiptarëve drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Konferencës Islamike, ku kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës. Në përgjigjen e tij, Kryeministri shqiptar vuri theksin në rëndësinë që ka njohja e Kosovës nga kombet arabe. Kreu i qeverisë shqiptare u pyet edhe për rolin e Shqipërisë në Konferencën Islamike.
A e mbështesni këtë apel të popullit shqiptar?
Unë e mbështes dhe ju shpreh mirënjohjen time ju si televizion, për shfaqjen e këtij apeli për pavarësinë e Kosovës. Njohja e pavarësisë është me rëndësi fondamentale nga kombet arabe dhe vendet anëtare të Konferencës Islamike. Të gjitha këto vende mike, në vitin 1994 votuan rezolutën e Kombeve të Bashkuara ku kërkohej zgjidhja e çështjes së Kosovës. Që atëherë janë kryer shfarosje kriminale nga serbët dhe Millosheviçi në Kosovë. Më shumë se një milion persona u deportuan, u vranë dhe u zhdukën me mijëra të tjerë. Që nga shkurti i vitit të kaluar, Kosova është njohur nga 55 vende. Askush prej tyre nuk e ka njohur Kosovën për të shpërblyer shqiptarët apo për të ndëshkuar serbët, por për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Shqipëria është anëtare e Konferencës Islamike. Do të luani vetë ju si vend një rol më të madh brenda Konferencës për sa i përket pavarësisë së Kosovës?
Shqipëria është një anëtare e Konferencës Islamike. Shqipëria përpiqet ta luajë rolin e saj brenda kornizës së kësaj konference. Megjithëse një vend i vogël që i përket Evropës, Shqipëria, definitivisht, duhet të ketë një rol më të rëndësishëm brenda Konferencës dhe veçanërisht në këto kohë, kur ka keqkuptime të mëdha mes besimeve, mes rajoneve dhe kështu me radhë. Ne jemi një vend me tri besime fetare, por me një tolerancë të shkëlqyer fetare. Të gjithë ne jetojmë në paqe dhe harmoni.