Plazhit i Gjirit të Lalësit, gati për turistët e rinj
Sezoni i ri turistik 2009 do të ketë plazhin e Gjirit të Lalësit, një investim i qeverisë, e cila ka nisur prej 6 muajsh angazhimet konkrete për zonat turistike në bregdetin e Durrësit, duke nisur kryesisht nga infrastruktura. “Dyndja e turistëve dhe automjeteve me turistë vendas dhe të huaj do ta jetë krahas vijës bregdetare të Durrësit, edhe drejt Gjirit të Lalësit, një nga perlat e bregdetit jo vetëm durrsak, por edhe kombëtar”, - deklaroi për “standard” dje kreu i qarkut, Seit Kërtusha. Sipas tij: “Një investim i qeverisë po bën realitet projektin për ndërtimin e një rruge bashkëkohore, ai ka pak muaj që ka nisur dhe bëhet fjalë për ndërtimin e rrugës Maminas - Gjiri i Lalësit, 23 km e gjatë, duke qenë një investim me vlerë 9 milionë dollarë, i kanalizuar nga Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve, që synon zbatimin e këtij projekti deri në 31 mars, duke realizuar projektin e plazhit elitar për turistët këtë sezon”. Sipas objektivit, synohet që këtë sezon, pushuesit të udhëtojnë deri në breg të detit në një rrugë të asfaltuar. Dy firma ndërtimi kanë nisur ndërtimin e kësaj rruge prej disa muajsh dhe punimet po ecin me ritme të kënaqshme. Drejtuesit e punimeve kanë vendosur që punimet të realizohen nga të dyja anët e kësaj rruge, pasi kështu do të mund të shpejtohet ritmi i punës. Rruga e nisur ka arritur në kilometrat e fundit dhe do të jetë me dy korsi dhe me kanale kulluese. Deri në afërsi të Manzës do të ndërtohen edhe trotuare e sistem ndriçimi. Gjatë këtyre ditëve janë kryer punime për ndërtimin e sistemit të kanalizimeve si dhe janë prishur gardhe e mure rrethuese në mënyrë që të bëhet gati bazamenti i kësaj rruge. Rruga Maminas - Gjiri i Lalësit, e harruar nga qeverisja socialiste, deri para 3 vitesh ishte katandisur në gjendje shumë të rënduar dhe në disa pjesë të saj automjetet e vogla thuajse e kishin të pamundur për të kaluar. Mungesa e një rruge të asfaltuar kishte nxjerrë jashtë funksionit një pjesë të bregdetit më të bukur të Durrësit. Kërtusha tha: “Ndërtimi i këtij segmenti do të orientojë drejt Gjirit të Lalësit me mijëra pushues ditorë si dhe do t’i japë shtysë fillimit të ndërtimit të industrisë së turizmit në këtë zone”. Por janë me qindra banorë të cilët janë pajisur me toka bujqësore pranë bregut të detit dhe që presin të çelin bizneset e tyre atje. Ata ose mund t’i shesin këto toka, ose mund t’i shfrytëzojnë ato në funksion të turizmit. Shqetësimit të qarkut dhe komunës së Ishmit qeveria iu përgjigj me investime dhe projekte, në të cilat u përfshi në zonat turistike edhe Gjiri i Lalësit. Përfundimi i projektit të aksit të ri rrugor, me vlerë prej 9 milionë dollarësh, përfundimisht e rendit Gjirin e Lalësit ndër më të frekuentueshmit për turistët vendas dhe të huaj dhe sipas kreut të qarkut Kërtusha dhe kryetarit të komunës, Gëzim Ylli: “Turistët do ta frekuentojnë plazhin e virgjër të Lalësit këtë sezon, pasi janë duke u kryer punimet përfundimtare nga firmat ndërtuese, duke lehtësuar lëvizjen e mjeteve nga pushuesit dhe turistët”.