Vizitat që sollën “erën e detit”
Herët, shumë herët nga dita e sotme, vizitat “private” të kryeministrit bavarez P.J. Shtraus, na ngjallën “vërlimet” e një ndryshimi të mundshëm të kursit të politikës të Shqipërisë. Viti 1984 ishte më befasuesi, prandaj edhe vizita u interpretua si “private”. Vizitën e parë e pasoi e dyta më 1986 dhe e treta më 1987. Megjithëse ishin vite nga më të vështirat në ekonominë e vendit, e populli gati sa nuk kishte përfunduar si ushtria e Nemçes, siç e kujtojnë gjyshërit tanë, duke ngrënë lëkura pemësh, oferta e kryeministrit bavarez ishte “si të flisje me murin”. Shqipëria humbi shansin e madh që të kishte një aleat të madh në vitet më të vështira të saj. Shtrausit, përveçse u gostit me ndonjë gic të pjekur te Hoteli i famshëm i Gjuetisë në Ishullin e Lezhës dhe një rruge të re në unazën e qytetit të Lezhës iu vu emri i tij, emër të cilin e mban edhe sot, nuk i tha “faleminderit” askush për ato ç’ka ofroi. Thonë madje se edhe shkaku i vdekjes (Shtrausi vdiq shpejt pas vizitës së fundit), ishte Shqipëria, që nuk e pranoi ofertën e ndihmës së tij. Megjithatë këto vizita nuk kaluan edhe pa lënë gjurmë politike: Gjermania ishte nga vendet e para që lidhi marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë komuniste edhe pse prej dekadash rrinte pezull borxhi që pretendonim ne të na e kishte Gjermania qysh gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Më 2 tetor 1987 u vendosën marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe RF të Gjermanisë dhe vetëm tre javë me vonë vendin tonë e vizitoi ministri i parë perëndimor, Hans Ditrih Gensher. Me këtë rast ai i afroi Shqipërisë edhe një marrëveshje bashkëpunimi. Por prapë “boshti i qerres” sonë ishte i thyer dhe ne reagonim me vonesë ndaj dorës perëndimore të Evropës. Do të duheshin edhe plot 365 ditë të tjera (ne prapë vazhdojmë të jemi në kërkim të kohës së humbur), që të nënshkruhej marrëveshja e ofruar nga ministri Gensher. Është tetori i vitit 1988 koha që solli firmosjen e marrëveshjes së parë për bashkëpunim teknik dhe ekonomik midis të dy vendeve.
Heshtje për marrëveshjen
Megjithëse Shqipëria përpëlitej mes kolapsit të plotë ekonomik, mundohej të fërgohej prapë me “dhjamin e vet” prej pleshti që dhe shpëtimin për furnizimin e tregut me ushqime e kishte gjetur te tufëzat e arëzat dhe te kafshët meshkuj që do të mbante fshatari pranë oborrit të tij.
Firmosja e “Marrëveshjes për bashkëpunim teknik midis RPSSH dhe RFGJ”, me një prej fuqive perëndimore të kohës, nuk pati as jehonën më të vogël në shtypin e kohës. E thënë më qartë, Shqipëria e katandisur si mos më keq, injoronte të mirat që mund të vinin prej kësaj dite. Në dy gazetat e vetme kryesore të vendit, njoftimi jepet në fund të faqes së parë me numër të minimizuar rreshtash dhe prej njoftimit mund të mësosh vetëm emrat e personave dypalësh që e kanë firmosur marrëveshjen. Një lajm i një rëndësie të veçantë që duhet të zinte faqen e parë të gazetës në atë kohë nuk merrte as vlerën e lajmeve që botonte shtypi për realizimin e objektivave të plugimeve ne rrethin e Lushnjës. Po në këtë ditë që firmosej marrëveshja, gazeta qendrore e vendit “Zëri i Popullit” me tre kolona të mëdha e me tituj bombastik shkruante për përvjetorin e mbledhjes së dytë të KANÇL si për një ngjarje që “evokonte mësime të mëdha”. Në të vërtetë, cila ishte ngjarja që evokonte mësime të mëdha: Era e shumëpritur perëndimore që kishte filluar të frynte apo institucionet e para që kishin instaluar në këtë vend regjimin gjakatar komunist?
Megjithatë asgjë nuk mund të ndalej. Pavarësisht se në shtyp i bënim jehonë më shumë ndërtimit të ujësjellësit në fshatin Kamenicë të Tropojës apo koncerteve të kitaristit të popullit vëlla kubanez, Aldo Rodrigez, se sa miqësisë së re me gjermanët, këta të fundit “e bënë nderen dhe e hodhën në det” si thotë populli: Më 19 qershor 1991, me mbështetjen e Gensherit, Shqipëria u pranua si anëtare me të drejta të plota në OSBE.
Nga mbledhja e parë te fillimet e para
Më 6 dhjetor të këtij viti mbushen plot 20 vjet nga mbledhja e sesionit të parë të komisionit të përbashkët shqiptaro-gjermanoperëndimor për bashkëpunimin ekonomik, industrial e teknik. “U bënë diskutime për zhvillim të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, industrial e teknik midis dy vendeve në fusha të ndryshme, me interes të përbashkët, thuhet në shtypin e kohës për këtë mbledhje, si miniera, metalurgji, industri kimike, industri e lehtë, bujqësi etj.”
Nënshkrimi i kontratës në tetor apo mbledhja në dhjetorin e para 20 viteve nuk ishin njëkohësisht edhe fillimi i punës në nivel bashkëpunimi apo edhe lëvrimi i fondeve të para. Pengesat ishin të pranishme: Edhe gjermanoperëndimorët e njihnin komunizmin. Muri i tyre, që e mbante të ndarë si një kuçedër tokën e përbashkët berlineze, akoma nuk ishte rrëzuar dhe ne në Shqipëri vazhdonim të mendonim se “Shqipëria nuk ishte as perëndim as lindje”. Marrëveshjes së 1988-ës iu tha boja në letër më shumë se duhej dhe ne nuk i patëm shanset të fitonim disa vite kohë. Mbetet që Bashkëpunimi Teknik Gjerman, GTZ, të fillonte punë vonë pas zgjedhjeve të para pluraliste dhe vetëm në formën e një ndihme emergjente ushqimore.
Kush është GTZ-ja?
GTZ është një koorporatë vetëqeverisëse, me qendër në Eschborn të Gjermanisë, e themeluar në vitin 1975. Klienti kryesor i saj është Ministria Federale Gjermane për Zhvillim e Bashkëpunim Ekonomik (BMZ). Ajo është “e lindur” për bashkëpunim ndërkombëtar, për zgjidhje të qëndrueshme në zhvillimin politik, ekonomik, ekologjik etj, të një vendi. Është njëkohësisht vënie në jetë e bashkëpunimit dypalësh. Është ndërtim i ndërmjetësimit. Qëllimi i sajë është të lehtësojë zhvillimin social dhe ekonomik të njerëzve që banojnë në rajonet rurale, të përmirësojë jetesën e tyre për të përballuar kushtet dhe për të qenë të pavarur. Të zhvillojë ekonomi efiçente financiare dhe sistem trajnimi në fushën rurale. Të ndihmojë përmirësimin e kushteve të jetesës, në zhvillimin e vendeve drejt një menaxhimi më të mirë të infrastrukturës- ujit, energjisë, transporteve. Të ndihmojë në reduktimin e varfërisë, mbrojtjen e ambientit dhe barazinë e të drejtave për gratë e burrat. Të promovojë të mësuarit potencial dhe ndërtimin e fondacioneve për një jetëgjatësi të të mësuarit. Të krijojë kushte nga të cilat të gjithë mund të përfitojnë nga zhvillimi social e kulturor i vendit të tyre.
BMZ nga ana e vet ka krijuar tre fonde për Evropën Juglindore; për reformën ligjore, nxitjen e tregtisë së jashtme dhe modernizimin e shërbimeve bashkiake. Po krijohet edhe një fond i katërt, për sektorin e energjisë. Përveç kësaj, GTZ-ja zbaton edhe projekte të financuara nga organizata ndërkombëtare apo edhe nga qeveri të shteteve të veçanta.
GTZ- midis brishtësisë dhe stabilitetit
GTZ-ja, kjo korporatë e fuqishme ka më se 30 vjet eksperiencë në bashkëpunimin ndërkombëtar. Ajo është institucioni më i gjithëpranishëm në të katër anët e globit. Po të shohësh hartën e shtrirë të dheut, do të vësh re se, jashtë prezencës së GTZ mbeten vetëm Australia e largët dhe Zelanda e Re, Amerika e Veriut me SHBA dhe Kanadanë si dhe Japonia me pak shtete të tjera të papërfillshme e natyrisht edhe anëtaret e vjetra të BE. Ajo ka marrëdhënie bashkëpunimi me mbi 130 shtete në të katër anët e botës. Interesante nuk është vetëm harta fizike, por edhe ajo politike e shteteve që GTZ-ja ka marrëdhënie me to. Ajo është prezente në vendet e brishta si Afganistani e Kosova, por edhe në vendet e reja anëtare të BE si Rumania e Bullgaria apo edhe në vende kandidate për në BE si Maqedonia etj. Shteti gjerman ka marrëdhënie të hershme bashkëpunimi me Indinë që prej 50 vjetësh e GTZ është atje qysh me krijimin e saj.
Nuk janë harruar edhe marrëdhëniet e vjetra të ish RDGJ me partnerë si Vietnami. Kjo korporatë vepron aktivisht në vende si Kenia, Nepal, Bangladesh, Uganda etj, ku varfëria mbulon 30-60 për qind të popullsisë, në vende të tilla si Pakistani me probleme të mprehta sociale si analfabetizmi i lartë, mungesë të shërbimit shëndetësor, me papunësi dhe me varfëri të përhapur.
Në këto vende, fushat e bashkëpunimit të GTZ janë reduktimi i varfërisë, vetëqeverisja lokale dhe shoqëria civile, shëndetësia dhe planifikimi familjar, energjia e rinovueshme dhe uji i pijshëm, HIV/AIDS dhe bazat e arsimit si dhe bujqësia. Në një numër të konsiderueshëm të vendeve të botës janë të ngritura agjencitë e antikorrupsionit. E pagëzuar me emra të ndryshëm kjo zyrë funksionon nga Gana në Namibi e Kenia. Nga Kongoja në Serbi e Armeni, nga Paraguaj në Gjeorgji e Mal të Zi etj.
GTZ është duke u marrë sot me më shumë se 2700 projekte zhvillimi e programe në të gjithë botën dhe janë të punësuar rreth 10 mijë persona, 85 për qind e të cilëve janë me kontrata vendore. Pothuaj në të gjitha vendet, GTZ ka të njëjtën natyrë të aktiviteteve që kryen dhe i mbulon ato nëpërmjet pesë departamenteve kryesore: ekonomia dhe punësimi ku përfshihen 25 për qind e projekteve të GTZ; shteti dhe demokracia me 30 për qind; shëndetësia, arsimi dhe mbrojtja sociale me 10 për qind; ambienti dhe infrastruktura me 25 për qind si dhe departamenti i pestë bujqësia, peshkimi dhe ushqimi me 10 për qind të projekteve.
Para dhe pas vitit 2000
Duke pasur si bosht vitin 2000, punën e GTZ në vendin tonë mund ta ndajmë në dy periudha: deri në këtë vit dhe pas këtij viti. Po të përjashtojmë ndihmat e para emergjente që nisin në fillim të viteve 90-të, në fazën e parë, sipas drejtores së GTZ për Shqipërinë dhe Maqedoninë, Ulrike Gontzer Sommer, projektet e GTZ synonin krijimin e institucioneve për ekonominë e tregut dhe vetë ekonominë e tregut. Pas vitit 2000, projektet kanë si synim integrimin në BE. Gjatë të gjithë këtyre viteve vëmendja i është kushtuar zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm dhe reformës ligjore.
Sot në fokus janë zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik e nxitja e punësimit si dhe uji i pijshëm. GTZ po punon në tre rajone të Shqipërisë: Në Tiranë e Korçë si dhe në zonën verilindore të vendit në qarqet korresponduese që janë Shkodra e Lezha e më pak edhe Kukësi. Gjatë kësaj periudhe është synuar që të mbështetet zhvillimi ekonomik shqiptar nëpërmjet arsimit profesional. Në Durrës dhe në Kukës me një fond prej 2.8 milion euro është nxitur arsimi profesional në dy nivele: në nivelin e shkollës së mesme në Kukës e Dibër ku janë regjistruar gjashtë shkolla të tilla me programe të caktuara duke praktikuar edhe kualifikime profesionale pa shkëputje nga puna dhe deri në nivel Akademie Profesionale brenda strukturave të Universitetit të Durrësit.
Në sektorin e shëndetësisë është punuar në reformimin e Institutit të Sigurimeve Shëndetësore, për zgjerimin dhe konsolidimin e këtij institucioni duke e konsideruar atë si një organ të pavarur dhe me vetëfinancim. Ndërsa mbështetja e fëmijëve me aftësi të kufizuara është një program analog me Shkupin. Synimi është që kësaj kategorie tu krijohen lehtësira në shërbimin shëndetësor dhe të arrihen standarde më të mira jetese duke krijuar edhe më shumë mundësi integrimi për këtë kategori.
Në sektorin e ujit të pijshëm janë vënë në qendër të vëmendjes decentralizimi i sektorit të ujit dhe jepet shërbim këshillimor për Autoritetin Rregullator të Ujit.
GTZ nuk ka harruar për asnjë rast ndihmesën dhe konsulencën në reformën ligjore. Ekspertë të saj kanë ndihmuar jo vetëm në përgatitjen e ligjeve të caktuara ekonomike, por edhe në fusha të tjera. Sot ata, në bashkëpunim edhe me shoqatën e këshillave të qarqeve, por edhe me qarqe të veçanta ku kryejnë aktivitetin po ndihmojnë edhe në ligje të tilla të decentralizimit të kompetencave, të reformës territoriale-administrative si dhe të ligjit të funksionimit të rajoneve. Por para së gjithash, që është edhe më e rëndësishmja, projekti i parë ku ka ndihmuar e ndihmon GTZ është mbështetja e institucioneve shqiptare për të zbatuar ligjet sipas standardeve evropiane, kërkesë e cila rrjedh edhe nga MSA, që të plotësohen parakushtet për një anëtarësim të plotë në BE.
Partner me rajonet tona
Sipas të dhënave që dalin nga zyrat e GTZ në Tiranë, në rajonet e përzgjedhura, janë rreth 200 biznese qe janë mbështetur në kuadër të programit. Rezulton se eksportet dhe investimet janë rritur me më shumë se tre milion euro dhe janë krijuar rreth tre mijë vende të reja pune. Sektorët më kryesorë si turizmi, industria e lehtë dhe ajo agropërpunuese, po gjejnë mundësi të reja biznesi. Kështu p.sh, tre produkte të reja janë bërë pjesë e ofertave. Pesë punishte agropërpunuese aplikojnë standarde evropiane dhe pesë kompani të tjera të industrisë së lehtë marrin porosi të reja për eksport.
Në rajonet e përzgjedhura, GTZ do të zbatojë masa “pilot” për zhvillimin aktiv ekonomik. Një ndër komponentët e programit është edhe mbështetja në nivel kombëtar me objektiv përmirësimin e klimës së biznesit dhe të investimeve në sektorët e përzgjedhur. Vlera e përgjithshme e këtij projekti në fazën aktuale është tre milion euro. Ndër arritjet e kësaj faze mund të përmendim: Bashkëpunimin me biznesin gjerman dhe Albinvestin. Bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës dhe me atë të Korçës si dhe me turizmin. Për projekti për nxitjen e vetëpunësimit në qarqet veriore të Shqipërisë, kryesisht për të rinjtë, janë bërë rreth 130 aplikime dhe kanë fituar 44, nga të cilat 35 prej tyre edhe sot pas një viti e vazhdojnë aktivitetin e nisur, çka rezulton se mbështetja ka qenë efikase. Janë zbatuar modele projektesh në sektorin agrarë si tregu agrarë në plazhin e Velipojës, i cili funksionon prej tre vjetësh. Shoqata “Herba” e mbledhësve të bimëve medicinale në Dukagjin të Shkodrës në të cilën janë të aktivizuar 30 veta që merren me grumbullimin, përpunimin dhe marketingun e këtyre bimëve si dhe ndërtimi i tregut ushqimor në Kukës i cili është mbështetur edhe nga Ministria Shqiptare e Bujqësisë. Po në qarkun e Shkodrës është mbështetur riaktivizimi i turizmit familjarë në zonën turistike të Thethit ku shtatë familje janë organizuar në një grup të zhvillimit të turizmit. Në këto familje janë kryer investime nga vet pronarët dhe GTZ-ja ka mbështetur me informacione bazë, me përgatitjen e standardeve të ndërtimit, me adresa dhe me numra telefoni, çmimet e turizmit etj. Kësisoj në këto familje konkurruese janë gjithsej 70 shtretër të standardeve për të pritur turistë të huaj dhe vendas.
Qendra e biznesit të artizanatit në Shkodër është një investim privat ku GTZ ka ndihmuar me projektin dhe me shkëmbim të eksperiencës së përparuar marrë nga vendet e tjera. Synim i ardhshëm në qarkun e Shkodrës është edhe rivitalizimi i zonës industriale të qytetit të Shkodrës, projekt i cili do të jetë një bashkëpunim i GTZ, Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe të vetë bashkisë së interesuar.
Sot...pas 20 vjetësh
Me rastin e firmosjes së marrëveshjes së re pas 20 vjetësh, sektorët e përzgjedhur janë bujqësia dhe industria ushqimore, turizmi, tekstilet dhe industria e softwareve. Në qarqet pilot ku zbatohet ky program GTZ po punon që në bashkëpunim me këshillat rajonal, të ngrihen agjencitë e zhvillimit rajonal, përvojë kjo edhe nga vet Gjermania, por edhe nga vende të tjera më afër: Slloveni e Kroaci. Krijimin dhe ndërtimin e këtyre kapaciteteve në lidhje me menaxhimin e politikës rajonale në përputhje me Strategjinë Ndërsektoriale të Zhvillimit Rajonal. Detyrë kryesore është përgatitja e strategjisë së zhvillimit social ekonomik për qarkun si dokument bazë për programin e zhvillimit ekonomik e social hartuar mbi bazën e SNZHR. Dhe së fundi është si objektiv, zbatimi i një projekti pilot i strategjisë së zhvillimit të qarkut. Gjatë kësaj kohe, GTZ me ekspertët e vet po ndihmon qarqet që të ngrenë Këshillat e partneritetit të qarqeve si dhe këshillat e nënforumeve të këtyre qarqeve në bazë rrethesh. Veç kësaj GTZ po kështu edhe UNDP kanë financuar edhe udhëtime studimore me ekspertë rajonal si dhe të METE, si ministri përgjegjëse për marrëdhëniet me GTZ në shkallë kombëtare.
Banka kryesore që mbështet GTZ në sipërmarrjet e saj është Banka Shtetërore Gjermane për Rindërtim (KfV). Linja e interkonjuksionit që lidh Tiranën me Podgoricën po bëhet me financimin e kësaj banke. Po kështu edhe një linjë tjetër e Tiranës me Prishtinën. Sot Shqipëria zë vendin e parë për ndihmën që jep Gjermania e qeveria e saj. Ndihmat e saj janë të shtrira në të gjitha fushat. Sot në 20 vjetorin e mbledhjes së parë të komisionit të përbashkët janë lidhur dy marrëveshje që kapin vlerën ë 30 milion eurove që është financimi i biznesit të vogël dhe kanalizimet e ujërave të zeza në rrethin e Korçës. Ky investim dhe vlera tjetër prej 90 milion euro që qeveria gjermane i ka dhuruar Shqipërisë për projekte në fushën energjitike dhe linjat e interkonjuksionit me Kosovën, ndjekin shumën e përgjithshme prej 700 milion euro që Gjermania i ka lëvruar Shqipërisë nëpërmjet GTZ gjatë të gjithë periudhës prej dy dekadash.