E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizitë dyditore në Tiranë e Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës

03-08-2011 / Gazeta 55

Me ftesë të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, mbërrin sot për një vizitë zyrtare dy ditore në Shqipëri, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Popullore të Kinës, Yang Jiechi. Tirana është vendqëndrimi i parë në turin e tij në Europë dhe Afrikë, njoftuan dje burime të ministrisë shqiptare të Punëve të Jashtme. Sipas këtyre burimeve, vizita e Jiechi bëhet në prag të 40- vjetorit të ripranimit të Republikës Popullore të Kinës në OKB, ngjarje për të cilën Kina vazhdon të vlerësojë kontributin e madh të Shqipërisë. Qëllimi i vizitës së Jiechit është forcimi i marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimi ekonomik, për të sjellë një dinamikë të re në lidhjet mes dy popujve. Jiechi do të pritet fillimisht nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Haxhinasto dhe pas takimit  do të ketë një konferencë për shtyp në mjediset e MPJ ku do të nënshkruhet edhe një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e turizmit, ndërmjet Ministrisë së Turizmit, Kulturës,Rinisë dhe Sporteve tё Republikës së Shqipërisë dhe Administratës Kombëtare të Turizmit të Republikës Popullore të Kinës për vitet 2011 – 2013. Sipas burimeve të ministrisë së Jashtme, Ministri i jashtëm kinez do të pritet më 4 gusht në takime të veçanta edhe nga  Kryeministri  Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe  Presidenti i Republikës Bamir Topi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›