E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizite ne Medvegje, ku dyshohet per varr masiv

PRISHTINE- Një Ekip nga Kosova përfaqësues të Grupit të Punës për Persona të pagjetur kanë kryer një vizitë në komunën Medvegjës, në zonen ku dyshohet për një varrezë masive, bazuar në deklaratat që dëshmitarët kanë dhënë pranë Zyrës së Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur.

Zyrës së Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur thotë se me këtë rast është bërë incizimi dhe skicimi i terrenit që konsiston me deklaratat e dëshmitarëve. Delegacioni i Prishtinës, duke u bazuar në raportet që do të përgatiten nga ana e ekspertëve të pranishëm në këtë vizitë, do të vazhdojë me procedurat e tjera për hulumtim dhe gërmim në terrenin e shënjuar si varrezë e mundshme.

Në Kosovë, në vitet 1998-‘99 forcat serbe vranë e masakruan rreth 12 mijë shqiptarë e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur. Menjëherë pas luftës kanë rezultuar 5.650 persona të zhdukur.

Pas zbulimit të disa varrezave masive në Serbi, autoritetet e Beogradit kanë kthyer në Kosovë mbetjet mortore të 707 shqiptarëve në 18 kontigjente të veçanta, si dhe 90 qeska me mbetje mortore. Ndërsa afro 500 trupa të shqiptarëve, të vrarë gjatë luftës në territorin e Drenicës, sipas raportimeve të medias kosovare, dyshohet se ndodhen të groposur në lokalitetin Rudnicë në Serbi afër kufirit verior të Kosovës.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›