E Diel, 1 Nëntor 2026

Bruksel, debat europian për krizën shqiptare

TIRANE- Komiteti i Jashtëm në Parlamentin Europian ka diskutuar dje mbi krizën politike në Shqipëri. Eurodeputetët kanë debatuar mbi projekt-rezolutën e përpiluar për vendin tonë nga raportuesi Nikolaos Chuntis i cili u kritikua si nga e djathta ashtu dhe nga e majta europiane. Chuntis tha se dy partitë e mëdha në Shqipëri janë përgjegjëse për qorrsokakun politik e për sistemin politik.

Kryetari i delegacionit për Ballkanin në PE, Eduart Kukan u shpreh se “zgjidhja për situatën duhet të gjendet në kuadër të institucioneve demokratike dhe të gjitha partitë duhet të pranojnë rezultatin”.Eurodeputetja Doris Pack kërkoi që opozitës shqiptare t’i thuhet se “protestat në rrugë nuk janë mënyra e duhur e sjelljes së vendeve demokratike”. Por në reagim ndaj këtyre deklaratave, Chuntis argumentoi se “ne, nuk mendoj se jemi këtu për t’i vënë gishtin e për t’u treguar njerëzve si ta bëjnë. Kjo nuk do të pranohej në qarqet e politikanëve të përfshirë në këtë problem. Nëse japim një qëndrim pro njërit apo tjetrit, kjo do të shfrytëzohej si avantazh”.

Gjatë debatit u dëgjua edhe Libor Roucek, zëvendëspresident i PE-së, i cili u shpreh se “në një demokraci parlamentare Kuvendi është zemra e sistemit, ndaj ju pëlqen apo jo rezultati, të gjithë duhet ta pranojnë atë”.

Drejtori për Zgjerimin me Ballkanin në KE ka thënë se në Shqipëri parlamenti nuk funksionon prej 9 muajsh dhe kjo do të merret parasysh gjatë shqyrtimit të kandidaturës së Shqipërisë.“Mesazhi i Komisionit ka qenë i qartë, së pari debati politik duhet të bëhet në parlament e jo në rrugë. Qeveria dhe opozita duhet të bëjnë çdo përpjekje për të gjetur dialogun konstruktiv politik. Të gjendet rruga mes dy principeve, respektimi i Kushtetutës por dhe nevojës për transparencë. E së fundi, pas zgjedhjeve të fundit OSBE/ODIHR shpërndau raportin ku thuhet se ka ende parregullsi, dhe është e rëndësishme që ato të adresohen përpara zgjedhjeve lokale”, - u shpreh Pierre Mirel.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›