Tiranë, dy të plagosur nga aksidentet rrugore
Dy persona do të ndiqen në gjendje të lirë si pasojë e shkaktimit të aksidenteve në qytetin e Tiranës. Seksioni i hetimit të aksidenteve rrugore tha dje se ka filluar procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin Bashkim Ali Serjoni, banues në Tiranë, me arsim 8 klasë. Sipas policisë, dy ditë më parë, rreth orës 13:50, 36-vjeçari, duke udhëtuar në rrugën Paskuqan-Babrru, duke drejtuar motoçikletën "Lifan", pa targa, ka dalë nga rruga, dhe për pasojë është aksidentuar vetë. Ai ndodhet në Spitalin Ushtarak nën kujdesin e mjekëve. Hetimi i dytë nga policia rrugore është për Sali Kolën. "Më datë 21 qershor 2009, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Sali Sami Kola, 30 vjeç, banues në Tiranë, me arsim 8 klasë, sepse të dielën në orën 17:15, në rrugën "Kongresi Manastirit", përballë spitalit nr.3, duke drejtuar mjetin "Benz" me targë T 092 JCS, ka aksidentuar këmbësorin Osman Rexhep Uliu" deklarojnë burimet nga policia, duke shtuar se 75-vjeçari i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën.