Afërdita Ngjela vuan nga sëmundje mendore
Reagon familja Sadiku
ELBASAN-Pas denoncimit publik të gruas që kërkonte ndihmë pasi dhunohej nga bashkëshorti, reagon i akuzuari dhe familja Sadiku. I akuzuari ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë lidhje martesore me Afërdita Ngjelën. "Të gjitha ato që ajo thotë janë shpifje, pasi në këtë mënyrë ajo kërkon të përfitojë para duke bërë edhe presion deri mediatik. Lagjja ku ajo jeton e njeh dhe e di që ajo vuan nga shqetësime mendore. Kjo situatë presioni vazhdon prej vitesh pasi ajo ka kaluar turbullime mendore që e kanë çuar deri në psikiatri",- thotë ai. Sipas tij, për fat të mirë, gjendja e saj mendore është konfirmuar edhe nga policia, e cila nuk i është përgjigjur veprimeve ndaj tij, duke parë se në çfarë gjendjeje psikike ndodhet Afërdita Ngjela. "Ajo që bën presion dhe që vazhdon të jetë problem për mua dhe për djemtë e mi është kjo grua, e cila shkruan letra, krijon shqetësime nga më të ndryshmet dhe jam unë ai që ndjehem i kërcënuar nga kjo grua, e cila mund të ketë reagime nga më të dhunshmet për shkak të gjendjes psikike të saj",- thotë ai. Vetëm pak ditë më parë, Afërdita u drejtua publikisht për ndihmë, pasi sipas saj, dhunohej fizikisht prej 7 vjetësh që bashkëjetonte me Sadikun. Sipas saj, edhe pas denoncimeve në polici, asnjë ndihmë nuk i ishte ofruar.