E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjedhja e shtëpisë, bashkëshorti i të akuzuarës: Ime shoqe di shumë gjëra për Dash Shehin

TIRANE - Në banesën e Dashamir Shehit, kreut të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, është vjedhur një shumë prej 50 mijë lekësh të reja. Ngjarja ka ndodhur paraditen e së hënës në banesën e Shehit, që ndodhet në rrugën “Ali Visha” në Tiranë. Autorja e dyshuar e ngjarjes ka qenë 45-vjeçarja, që Shehi kishte punësuar si pastruese në shtëpie. Elida Stafa, e cila banon pranë banesës së Dashamir Shehit bashkë me bashkëshortin dhe vjehrrën, do të hetohet në gjendje të lirë. Banorët që jetojnë afër shtëpisë së saj shprehen se ajo është një grua shumë e mirë dhe e ndershme dhe nuk mund t’i ketë marrë ato lekë. Ndërkohë që bashkëshorti i së dyshuarës, Shaban Stafa, tregon detajet dhe të pathënat e ngjarjes.
Është përfolur gjithandej në media që Znj.Elida ka kryer një vjedhje në banesën e Z. Dashamir Shehi. Çfarë mund të thoni lidhur me këtë?
Kjo është një gënjeshtër. Elida ka mbi 10 vjet që punon aty dhe nuk mund ta bënte këtë gjë. I ka rritur fëmijët zotit Shehi për vite me radhë dhe asnjëherë nuk ka ndodhur ndonjë ngjarje e tillë.
Sipas hetuesve të policisë mësohet se gjurmët e gjetura në vendin ku ishin paratë e vjedhura, rezultojnë se janë të gruas suaj...
Kjo nuk është aspak e vërtetë. Policia nuk ka ardhur fare në shtëpinë ku punonte Elida dhe ato ekspertiza nuk janë bërë asnjëherë. Në momentin që Dashamiri ka vënë re mungesën e lekëve ka marrë policinë në telefon dhe ka denoncuar direkt gruan time. Pas fletëthirrjes që na erdhi në shtëpi, unë e kam shoqëruar vetë me makinë time shoqe në komisariatin Nr.1 dhe duke qenë se nuk ka asnjë provë po hetohet në gjendje të lirë. Nuk janë aspak të vërteta ato që janë thënë nëpër gazeta apo televizione. Madje, ajo nuk e ka pranuar asnjëherë që i ka marrë ato lekë.
Nëse kjo nuk është e vërtetë, pse mendoni se është akuzuar gruaja juaj?
Nuk di ç’të them. Edhe ne na erdhi si bombë. Kaq vite punë në atë shtëpi dhe tani kjo gjë. Elida ka qenë një nga njerëzit e besuar të zotit Shehi. Edhe pse pa dijeninë e gruas së tij, Dashamiri i kishte besuar asaj një kopje të çelësit të shtëpisë. Në atë shtëpi nuk hynte vetëm ime shoqe. Pa akuzuar njeri, ato lekë mund ti ketë marrë kushdo tjetër që hyn e del aty, si psh: shoqëria e fëmijëve apo njerëz të tjerë. Të them të vërtetën më bën shumë përshtypje se si i zoti i shtëpisë mund të akuzojë gruan time që ka punuar mbi 10 vjet në atë shtëpi, që i ka rritur dhe edukuar fëmijët, për diçka të tillë. Edhe në rast se Elida do kishte bërë një gjest të tillë, ai nuk kishte pse e bënte kaq të madh lajmin. Për mendimin tim ai po e përdor për diçka tjetër. Kjo ngjarje po përdoret nga Z.Shehi për të mbuluar ndonjë diçka tjetër. Ime shoqe dinte shumë të fshehta për Dashamirin, por nuk ka thënë asnjëherë asgjë. Ne jemi një familje e thjeshtë punëtore dhe nuk kemi pse merremi me këto gjëra. Por po e përsëris në atë shtëpi hynin e dilnin shumë njerëz që vetëm Elida i dinte. Dashamiri po e përdor çështjen për pak publicitet, apo për të fshehur gjëra të tjera.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›