Vjedhja në Farkë e Dajt, 72 milionë euro
TIRANË- Në komunat Dajt dhe Farkë janë vjedhur 240 hektarë tokë duke i kaluar pronarëve fiktivë. Kjo është zbuluar nga Prokuroria e Tiranës pas gjashtë muajsh hetime për periudhën 2005-’07. Burimet zyrtare nga organi i akuzës konfirmoi për “Shekullin” se hetimet gjashtë mujore për abuzimet me tokat në komunën Farkë, Dajt dhe Petrelë janë në fazën përfundimtare, ku janë evidentuar miliona metër katror tokë të tjetërsuar me anë të falsifikimeve të dokumentacioneve dhe ndihmës së zyrtarëve të Hipotekës në kryeqytet. Mësohet se nga hetimet e kryera ka rezultuar se janë 11 persona, drejtues e ish-drejtues komunash dhe zyrtarë të tjerë të këtyre komunave të cilët kanë shpërdoruar me detyrën në bashkëpunim me ish-drejtues dhe drejtues të Hipotekës në kryeqytet të cilët i kanë pajisur me certifikata pronësie pronarët fiktivë.
“Njësia e Task-Forcës pranë prokurorisë së Tiranës, nga verifikimet e kallëzimeve të banorëve të këtyre zonave dhe nga shqyrtimi i kallëzimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ka evidentuar se vetëm në komunën Farkës zyrtarët e kësaj komune kanë abuzuar me tjetërsimin e pronës në 120 raste, duke i kaluar rreth 135 hektarë truall pronarëve fiktivë. Kalimi i kësaj prone është kryer duke falsifikuar certifikatën e pronësisë, me ndihmën e zyrtarëve të kadastrës së këtyre komunave dhe më pas me dokumentet e falsifikuara ia kalonin këtë pronë një personi tjetër apo të afërmit të tyre. Pas kalimit të kësaj prone, bashkëpunëtorët e zyrtarëve të kësaj komune në Hipoteka e regjistronin pronën me emër të pronarit të ri dhe më pas trualli nxirrej në shitje, ku pas shitjes dyshohet se lekët ndaheshin mes drejtuesit të komunës, përgjegjësit të kadastrës, punonjësve të hipotekës dhe pronarit “fiktiv”-thuhet nga burimet e prokurorisë. Konkretisht mësohet se në komunëne Farkës në 86 raste me sipërfaqe 920.846 metër katror të cilat janë të pakonfirmuara nga Këshilli i Qarkut, si dhe në 34 raste me sipërfaqe 429.457 metra katror të cilat janë mbivendosur dhe të pakonfirmuar nga Këshilli i Qarkut në kryeqytet. Ndërkaq, në lidhje me abuzimet në komunën e Dajtit, prokuroria ka verifikuar denoncimet e qytetarëve të këtyre zonave dhe kallëzimet e KLSH-së, duke konstatuar se në fshatin Linzë, Lanabregas, Priskë e Madhe dhe Babrru janë tjetërsuar me vërtetime të falsifikuara duke i kaluar pronarëve fiktivë rreth 105 hektarë tokë, truall dhe pyll.
“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se në fshatin Lanabregas, Priskë e Madhe, Linzë dhe Babrru janë tjetërsuar me vërtetime të falsifikuara nga ish-Komisioni i Kthimit të Pronave 323.490 metra katror tokë pyll, në komunën e Dajtit janë tjetërsuar 672.240 metra katror pyll, në Lanabregas rreth 45 mijë metra katror pyll, në fshatin Linzë rreth 9.100 metra katror tokë “truall” e cila ka qenë brenda territorit ushtarak por që i ka kaluar një pronari fiktiv si dhe përsëri në fshatin Lanabregas ku janë tjetërsuar rreth 7.680 metra katror “arë”-thuhet nga prokuroria, e cila pritet që të arrestojë disa nga drejtuesit dhe ish-zyrtarët e kësaj komune. Sipas burimeve pranë grupit hetimor mësohet se nga një përllogaritje e thjeshtë e shitjes së këtyre trojeve nga persona të tretë dhe jo pronarë të rreth 240 hektar tokë, e shumëzuar me një shumë minimale të shitjes me 30 euro për metër katror, rezulton që zyrtarët e komunës Dajt dhe Farkë nga këto shitje të kenë abuzuar me shifrën e 72 milionë eurove.
-----------AKUZA
Prokuroria: Gati 11 urdhër-arrestet e tokave
TIRANË- Sipas burimeve nga prokuroria mësohet se brenda këtyre ditëve, pritet që organi i akuzës të lëshojë urdhër-arrestet për 11 zyrtarët dhe ish-zyrtarët e identifikuar, mes tyre drejtues komunash, ish-kryetarë e zyrtarë të ndryshëm të këtyre tre komunave, duke mos përjashtuar tek këto persona edhe drejtues të Hipotekës së kryeqytetit. Pasi, nga hetimet ka rezultuar se të 11 personat që deri tani janë hetuar në gjendje të lirë me veprimet apo mos veprimet e tyre të kenë kryer elementë të veprave penale të “korrupsion pasiv nga të zgjedhurit vendorë”; “shpërdorimit të detyrës”; “falsifikimit të dokumenteve zyrtare” dhe “falsifikimit të hartës së pronës dhe certifikatës së pronësisë” në bashkëpunim.F.V.
ABUZIMET
Në Farkë në 84 raste dhe sipërfaqja e 920.846 m2 është tjetërsuar pronari
Në Farkë në 34 raste me sipërfaqe 429.457 m2 është mbivendosur prona
Në fshatin Lanabregas, Priskë e Madhe, Linzë dhe Babrru janë tjetërsuar 323.490 m2 tokë pyll,
Në komunën e Dajtit janë tjetërsuar 672.240 m2 pyll,
Në fshatin Lanabregas janë tjetërsuar 45 mijë m2 pyll,
Në fshatin Linzë janë tjetërsuar 9.100 m2 tokë “truall” pronë e Ushtrisë
Në fshatin Lanabregas janë tjetërsuar 7.680 m2 “arë”
Hetime edhe zyrtarëve të hipotekës së Tiranës
TIRANË- Nga hetime e prokurorisë nuk janë lënë jashtë hetimit edhe abuzimet në kryeqytet nga zyrtarë të Hipotekës së kryeqytetit. Ku sipas akuzës, brenda territorit të uzinës “Dinamo” është regjistruar një sipërfaqe prej 4.605 m2 “truall”, e cila i është kaluar një pronari fiktiv me anë të dokumenteve të falsifikuara që ka përvetësuar këto sipërfaqe nga kompleksi i uzinës “Dinamo”. Që sipas akuzës dhe kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit “vjedhja” e kësaj sipërfaqe toke i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 128 milionë lekë. Gjithashtu, edhe territori i Bashkisë së Tiranës është “vjedhur” nga familjarët e pronarëve të vërtetë, të cilët para marrjes së pronës nga shteti ia kanë shitur këtë tokë bashkisë. “Nga hetimet ka rezultuar se në zonën 8160 është regjistruar në Hipotekë me anë të dokumenteve të falsifikuar territori i ish-shkollës “Kosova” me një sipërfaqe 2.468 m2 tokë “truall” në emër të një pronari fiktiv. Ndërsa prona rezulton e shitur nga pronarët e vërtet dhe e blerë nga ish-Bashkia e Tiranës në vitin 1942, vetëm katër vite para kthimit të pronës private në pronë shtetërore”,-thuhet nga grupi hetimor.--------------------------------------------------------Një hetim i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregon funksionimin e skemës që në komunën e Farkës vodhi 1.35 milionë metra katrorë
Fabrika e titujve të pronësisë
Gjatë viteve 2005-2007, në Farkë janë dhënë 60 tituj pronësie bazuar në ligjin 7501
Gjergj Erebara
Ligji për ndarjen e tokës bujqësore mes fermerëve, u miratua në vitin 1991. Në vitin 1995, një ligj i dytë i kaloi nën pronësi, pa pagesë, tokën që fermerët kishin marrë në vitin 1991. Trembëdhjetë vjet pas këtyre dy ligjeve, një grup i madh njerëzish duket se kanë bërë biznes prej dhjetëra miliona eurosh duke përdorur pikërisht këto dy ligje. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka zbuluar se Komuna e Farkës ka kryer procedurat për 60 tituj pronësie të lëshuara bazuar në këto dy ligje, veprime që i ka kryer në vitet 2005-2007. Tokat në interes për këto raste kanë qenë në fshatrat Farkë e Madhe, Farkë e Vogël, Lundër dhe Mjull Bathore, të gjitha me kërkesë të lartë dhe me çmime që variojnë nga 30 në 70 euro për metër katror.
“Në të gjitha praktikat e kalimit të tokës nga përdorim nën pronësi, nuk kemi gjetur në asnjë rast kërkesë të fermerëve për ta kryer këtë veprim”, - thuhej në raport. Në dosjet përkatëse nuk gjenden as dokumente që të vërtetojnë se përfituesit e tokës kanë qenë banorë të zonës në vitin 1991, apo se kanë qenë punonjës së fermës “Gjergj Dimitrov”. Nuk gjenden as certifikatat familjare që vërtetonin numrin e anëtarëve të familjes në kohën kur tokat u ndanë, një dokument shumë i rëndësishëm ky, pasi në bazë të tij përcaktohej sipërfaqja që i takonte çdo fermeri.
Prodhimi i fermerëve që nuk kanë ekzistuar, të cilëve u është shpërndarë tokë bujqësore në zonat ku ka pasur interes ekonomik, kryesisht në bregdet ose pranë qyteteve të mëdha, ka qenë metoda e parapëlqyer e mafies së tokave gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit. Në të gjithë vendin, aty ku toka ka pasur rëndësi urbane, janë kryer manipulime të tilla. KLSH ka zbuluar edhe një pafundësi shkeljesh të tjera në komunën e Farkës, të cilat duket se megjithëse përbëjnë kundërvajtje ligjore, janë në një nivel më të ulët sesa prodhimi i pronarëve që nuk ekzistojnë. KLSH vëren p.sh., se Komuna e Farkës ka shpërndarë si tokë bujqësore, sipërfaqe të tëra që figurojnë të regjistruara si “tokë e pafrytshme” e që sipas ligjit, nuk mund të ndahej me ligjin 7501. Ose që 270 mijë metra katrorë tokë në fshatin Sauk janë shpërndarë me ligjin në fjalë, ndonëse kanë qenë brenda vijës së verdhë të qytetit të Tiranës e për pasojë, nuk kanë qenë juridiksion i komunës.
E gjendur vetëm pak kilometra larg qendrës së Tiranës, tokat në komunën e Farkës kanë qenë shumë të kërkuara nga biznesi për të ndërtuar bare, restorante, pishina apo aktivitete të tjera industriale. Në të njëjtën zonë janë derdhur edhe paratë e shtresës së re të lartë, të cilët parapëlqyen të ndërtojnë vila fshati, ndërsa në disa zona të kësaj komune si pranë fshatit Selitë, në Lundër apo në zonën pranë Kopshtit Zoologjik, u ndërtuan blloqe masive apartamentesh. Të gjithë titujt e pronësisë për këtë aktivitet kanë kaluar në një mënyrë a një tjetër nga zyrat e komunës, të cilat u kthyen në një fabrikë të vërtetë prodhimi titujsh pronësie. Prokuroria ka identifikuar sakaq raste tjetërsimi pronash në mënyrë të paligjshme me sipërfaqe të përgjithshme prej 1.35 milionë metrash katrorë dhe në atë zonë, çmimi mesatar për çdo metër katror fillon nga 30 euro.