E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlerësime të pabaza për Tiranën

Shkaku i prononcimit tonë është se, në shkrimin “Mbi modelet e emërtimeve”, botuar në “Shekulli”, autori thotë se “Tirana është një qytet relativisht i ri (është themeluar para 400 vjetësh), pa shumë histori, deri në vitin 1920, ....Tirana nuk ka nxjerrë personalitete të spikatura autoktone, siç ka nxjerrë fjala vjen Durrësi, Berati, Vlora, Shkodra, Korça, Gjirokastra etj”; dhe se, disa rrjeshta më poshtë shton, “.... për hir të së vërtetës, duhet thënë që Tirana nuk ka nxjerrë asnjë personalitet autokton të këtyre përmasave”. Me këto “përfundime bombë”, ai gjen “arsyen” pse Universitetet e Tiranës nuk janë emërtuar. Nëse autori e ka seriozisht se, ato duhet të kenë emra tiranasish (sigurisht të merituar), ne i themi faleminderit, aq më tepër se, ata nuk janë lokalë. Por, nuk është këtu, e kjo kuptohet lehtë.

Në mungesë të argumentit, këndvështrimi i autorit mbetet thjesht subjektiv, amator dhe prepotent, çka do të thotë se edhe përfundimet janë të pabaza. (autori ngatërrohet edhe me veten sepse duke e konsideruar Tiranën 400 vjeçare, qytet të ri, aktivitetin e figurave të shquara, emrat e të cilëve i janë dhënë universiteteve të rretheve, i pranon vetëm të 100-150 vjetëve të fundit).

Ne dimë se historinë nuk e bën dhe e përcakton subjektivizmi apo politika, por vetëm shkenca, statistika dhe fakti. Kështu, vëllimi i parë prej 400 faqesh i veprës së Kristo Frashërit “Historia e Tiranës” (i vetmi libër për historinë e një treve), botuar më 2004; periudhën deri në vitin 1920 (të cilën autori e shpërfill), e nis prej thellësive të lashtësisë historike (fq. 17). Në këtë punim voluminoz, historiani i njohur jep material të bollshëm për traditën, patriotizmin dhe kulturën e shkëlqyer të Tiranës e të personaliteteve të saj. Eshtë i mjaftueshëm ky krahasim për t’i dhënë të drejtë fjalës së urtë “fol për ato që i ke të qarta, për të paqartën hesht”.

Historinëe Tiranës e vërtetojnë zbulimet e vazhdueshme arkeologjike; kalatë jo të pakta rreth saj; përpjekjet e rilindasve tiranas, të vlerësuara aq shumë dhe për të cilin janë shkruar monografi dhe doktorata; të dërguarit e vet në Lidhjen e Prizrenit, në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, në Kongresin e Lushnjes etj. Për Tiranën, mund të përmenden: përdorimi i shkrimit shqip që në vitin 1825; hapja e shkollave shqipe para pavarësisë; ngritja e flamurit që më 26 nëntor 1912, dy ditë para 28 nëntorit etj. (çka mënjanoi rreziqet serbe dhe malazeze) etj. Vlerat e trevës së Tiranës ishin faktor i rëndësishëm pse burrat e mençur dhe patriotë të Kongresit të Lushnjës e zgjodhën atë për kryeqytet. (ka dokumente se, që, në vitin 1877, Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni kishin menduar për këtë zgjedhje).

Duke iu lutur çdo lexuesi të na mirëkuptojë; ne respektojmë të gjithë trevat dhe qyte-tet e Shqipërisë dhe nuk duam të bëjmë garë me asnjë prej tyre, të bëjmë dallime apo të krijojmë probleme, aq më tepër të përdorim forma ironizuese. Duke përdorur forcën e argumentit, ndryshe nga mendimi i mjëanshëm i gazetarit, do të provojmë se, ky qytet ka nxjerë figura të njohura e të spikatura, madje mjaft të hershme. Në vitin 1711 (tre shekuj më parë), emërohet naib (gjykatës) Rexhep Kubati. Më tutje ndeshen të diplomuarit e parë me arsim të lartë: inxh. Adem Bimbashi (1859); mjekët Isuf Mara (1874), Abdullah Ademi (1876), Jakov Hobdari (1894) etj.. Vazhdojnë më tutje figurat madhore të mjekësisë shqiptare: Shefqet Ndroqi që luftoi tuberkulozin; Kadri Kërçiku, që luftoi sëmundjet veneriane dhe mykotike; Sabri Tefiku, patolog i padiskutueshëm, Mentor Petrela, neurokirurg i përmasave të veçanta etj.

Familja e madhe Toptani (vlerat e së cilës janë errësuar me dashje dhe vetëm për shkak të një emri (atij Esat Pasha),ka disa “rekorde”, madje të nivelit kombëtar. Nga 11 nënshkruesit e njoftimit për ngritjen e flamurit në Tiranë, më 26 nëntor të vitit 1912, tre ishin toptanas (Fuati, Refiku dhe Xhelali). Deri në vitin 1944, prej saj, kanë dalë rreth 20 të diplomuar me arsim të lartë: Nuk gjendet tjetër familje e këtyre përmasave, sa sasiore aq edhe cilësore, sa patriotike aq edhe të kulturuar. Madje, vetë emri i saj mund të përdoret si simbol i arsimit të lartë.

Ose nga familja Hobdari, Aleksandri është ndoshta modeli dhe pionieri i industrialistit kapitalist shqiptar. Ai ishte gjithashtu konsull i nderit për Japoninë e për Austrinë. A e din autori i shkrimit se, cili është rektori i parë i Universitetit të parë Shqiptar, Universtitetit Shtetëror të Tiranës (sot Universiteti i Tiranës)? Eshtë një tiranas 24 karat, po ashtu si ato për të cilët u fol më lart, Zija Këlliçi, pinjoll i një familje të njohur vendase, sa të kulturuar aq edhe patriotike. (familje pjesëmarrëse e rretheve patriotike që më 26 dhe 27 nëntor 1912 ngritën flamurin në Tiranë e në Kavajë). Rektori i parë i Universitetit të dytë në Shqipëri ishte përsëri një tiranas, Gëzim Karapici. Ka shembuj të bollshëm, (e pamundur të përfshihen të gjithë në një artikull) nga të cilët nuk është aspak e vështirë të bindemi se Tirana ka tradita, vlera dhe mjaft emra personalitetesh të spikatur e të merituar, krejt të denjë për piedestale të larta. Ata kanë përmasa të tilla, sa që, me dinjitet qëndrojnë krahas emrave të tjerë me të cilët janë nderuar universitetet e rretheve. Ne mund të vazhdojmë edhe me argumente të tjera, për të provuar se deficiti nuk është te tiranasit, por gjetiu. Janë dy faktorë jokonstantë kohorë, që nuk kanë patur të njëjtin rol, por që, të dy kundërshtojnë dukshëm tezën e artikullshkruesit.

Së pari, shihni jashtë Shqipërisë. Përdorimi i emrave të njerëzve, lidhur me “modelet e emërtimeve” të universiteteve, siç i quan autori i shkrimit, ndeshet më tepër në Lindje. Në Perëndim, ku duam të shkojmë edhe ne, pothuajse jo. A mos vallë, mendon ai se Roma, Mi-lano, Athina, Bolonja, Parisi, Londra, Amsterdami, Madridi e sa e sa të tjerë në Europë dhe jashtë saj nuk kanë dhënë figura të spikatura dhe shkencëtarë autoktonë? Te ne, ky mentalitet dhe kjo praktikë ka qenë më e dukshme në universitetet e Tiranës, madje që me paraardhëset e tyre, institutet e larta të ngritura në vitin 1951. Këtë zgjidhje qytetari tiranas e ka pranuar si element europian. Vetëm një herë u tentua ndryshe, kur gjatë viteve 1985-1990, Universiteti i Tiranës kishte emrin “Enver Hoxha”, çka nuk i përballoi kohës.

Së dyti, që është edhe faktori më i rëndësisshëm. Duhet të bindemi se shkaku i mos-aplikimit të modelit të dytë edhe në Tiranë, është politik dhe thuajse i vetmi. Universitetet e rretheve janë zyrtarizuar pas vitit 1990, në atë kohë kur politika dhe ideologjia nuk ishin më në qendër të formimit studentit. Atë e thotë vetë autori i po atij shkrimi: “tradita e hershme e kohës së komunizmit, që në shumë raste institucionet quheshin pa asnjë lidhje me emra dëshmorësh”.

Ky fakt i padiskutueshëm gjurmët më të thella i ka lënë në Tiranë, e cila asnjëherë nuk ka qenë e preferuara e sistemit. Mendoni se, me të vërtetë, edhe për objektet më modeste, Tirana nuk mund të gjejë emra të vet?

Po tregojmë ç’ka ndodhur. Familja Hysa nga Priska e Tiranës ka mbi dhjetë dëshmorë të luftës e të pasluftës; kemi pra, përsëri një “rekord”. Na thoni një emër objekti në Tiranë në përkujtim të tyre. Në të kundërt, një numër tejet i madh objektesh kanë emra të ndikuar nga indoktrinimi politik e komunist dhe kjo mani e dukshme ka shkuar mjaft larg, madje edhe në dëm të kulturës e të folklorit.

Duke mbyllur mendimet tona, jo thjesht oponente ndaj atij shkrimi, por edhe infor-mative mbi vlerat dhe traditat e tiranasve, del qartë se përmbajtjes dhe formës së tij, i përshtaten thënia latine: “kur të hash përtypu mirë dhe kur të flasësh, mendohu mirë”.

Emra autorësh, të mëdhenj apo të vegjël, të njohur apo të panjohur, me botimet e ndryshme, në trajtë letrare apo mediatike, kanë dhënë edhe përfundime të padrejta dhe të pabaza, që kanë prekur deri mirëkuptimin dhe respektin qytetar e ndërfetar, çka në Tiranë është kultivuar dhe ka funksionuar vazhdimisht e përherë shkëlqyeshëm. Pa argumentin shkencor, edhe ato forma shkaktojnë shqetësime në bindjet e njerëzve dhe përçarje në marrëdhëniet ndërmjet tyre. Ato janë edhe më të rënda, kur, për krahinën e Shqipërisë së Mesme, në të cilën ndodhet edhe Tirana, dhe fatkeqësisht nga emra tejet të njohur, është vënë në dyshim kombësia shqiptare. Modeli i mikpritjes tiranase është ai me dibranin e persekutuar nga shovinistët serbë, i përjetuar më së miri në këngën e famshme të dibranit Haxhi Maqellara. Kjo mikpritje, e vazhduar edhe më tej, me të ardhur nga vise të tjera të Shqipërisë, ka gjetur vlerësimin e merituar dhe jo interpretimet e pavërteta. Emigrimi, brenda shtetit apo jashtë tij, bëhet drejt treguesve më të mirë kulturorë dhe ekonomikë.

E meqë po flasim për vlerat, dy fjalë edhe për pronat e tiranasve, të cilat dy herë kanë pësuar tronditje të rënda. Së pari, me vendosjen e diktaturës, më 1945, kur ato u shtetëzuan dhe kur në mjaft raste, i zoti i shtëpisë u ngushtua dhunshëm edhe në banesën e tij, për t’i lënë vend të ardhurve dhe, së dyti, pas vendosjes së demokracisë, më 1990, kur megjithëse po bëhen gati 20 vjet dhe Europa e kërkon, ato nuk po kthehen.

Tiranasi nuk flet për vete; por, njëherësh, është i ndjeshëm kur të tjerët nuk i japin atë që i takon dhe aq më tepër kur e ngacmojnë. Këtu e ka zanafillën shkrimi ynë. Prandaj, ne përsërisim “mos mohoni vlerat tona, të të gjitha llojeve: kulturore, shkencore, shpirtërore dhe të pronës”. Ne do të vazhdojmë t’i ruajmë e t’i kërkojmë ato pandërprerë.

*Autorët janë drejtues të Shoqatës “Tirana”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›