Vjedhja spektakolare, policia pyet pronarin
Ilirian Çelaj, ka udhëtuar për gjatë gjithë natës së të martës për të mbërritur në Tiranë mëngjesin e djeshëm duke dhënë informacionin e tij
Policia, ka ngritur pistat e para të hetimit, ka marrë në pyetje edhe persona të dyshuar apo që mund të jepnin të dhëna mbi ngjarjen
TIRANE- Policia merr në pyetje një ditë pas vjedhjes spektakolare biznesmenin Ilirjan Çelaj. Ky i i fundit mësohet se është kthyer gjatë natës së të martës, duke u gdhirë dita e djeshme nga Hungaria ku ndodhej bashkë me familjen e tij.
Kjo është konfirmuar për "Shekullin", nga burime të policisë po edhe nga vetë biznesmeni i njohur, i cili pohoi se të gjithë informacionin ua kishte dhënë oficerëve të hetimit të çështjes.
"Kam parë një angazhim serioz të drejtuesve të Policisë por edhe hetuesve në zbulimin dhe zbardhjen e ngjarjes. Shpresoj që hetuesit të shkojnë në rrugën e duhur për të zbardhur ngjarjen dhe arrestuar autorët,- pohoi mbrëmë për "Shekullin", biznesmeni Çelaj.
Ndërkaq, ndryshe nga dje, sot shuma e parave të vjedhura sipas burimeve të policisë pas saktësimit të saj besohet se kap shfirën e rreth 660 milionë lekëve të vjetra. Kjo shumë është deklaruar nga vetë i dëmtuari gjatë rrëfimit të tij para hetuesve të policisë së kryeqytetit.
Ilirian Çela është kthyer në Shqipëri vetëm një ditë pas grabitjes spektakolare në banesën e tij shumë pranë qendrës së kryeqytetit, duke u bërë njëri nga dëshmitarët kyç të ngjarjes që shokoi Tiranën një ditë më parë.
Pas kthimit nga Hungaria ku kishte shkuar prej disa ditësh bashkë me familjen për çështje personale, biznesmeni Çelaj ka dëshmuar menjëherë për Policinë e Tiranës pas grabitjes së kasafortës me një shumë marramendëse lekësh në banesë.
Çelaj është rrëfyer para hetuesve të Seksionit të Vjedhjeve së Banesave të Policisë së Tiranës , ku ka dhënë versionin e tij për ngjarjen. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit pohojnë se pronari i firmës së ndërtimit ka deklaruar para hetuesve se në kasafortë ka pasur një shumë prej 660 milionë lekë.
Kjo është dëshmia e parë që biznesmeni jep për policinë, që mund të zbardhë shumë anë të panjohura të grabitjes.
Ekspertët e Policisë kanë kryer të gjitha veprimet hetimore për ngjarjen dhe pritej që të dëshmonte vetë biznesmeni Çela i cili gjatë grabitjes ka qenë jashtë Shqipërisë bashkë me familjen.
Dëshmitë e fqinjëve për ngjarjen janë marrë që dje nga policia e cila ka ngritur një grup hetimor me ekspertë kriminalistë, specialistë të Seksionit Kundër Vjedhjeve për të marrë të gjithë informacionin e duhur për zbardhjen e ngjarjes.
Grabitja spektakolare ndodhi dy ditë më parë, ku në shtëpinë e biznesmeni Ilirian Çelaj u grabitën 660 milionë lekë, shumë kjo e deklaruar nga vetë biznesmeni, nga persona ende të paidentifikuar nga policia.
Ngjarja e cila ndodhi ne rrugën "Hamit Shijaku" në një pallat të ri pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, nuk ka asnjë të dyshuar apo të ndaluar, kur kanë kaluar dy ditë nga grabitja.
Grabitësit, përveç mungesës së familjes Çela, kanë shfrytëzuar dhe mungesën e fqinjëve të tij më të afërm ku banesa e njërit u përdor për të realizuar vjedhjen e kasafortës.
Grabitësit kanë arritur që nëpërmjet ballkonit të njërit apartament të hyjnë përfundimisht në banesën e biznesmenit që ndodhet në katin e nëntë të pallatit për të vjedhur 660 milionë lekë në kasafortën prej afro 500 kg.
Shuma e lekëve e grabitur është deklaruar nga vetë biznesmeni gjatë dëshmisë së dhënë për hetuesit e policisë së Tiranës. Pallati ku jetonte biznesmeni Çelaj ishte ndërtuar nga vetë firma e tij dhe apartamentet akoma nuk janë të mbushur plotësisht me familjarë për shkak se nuk ka shumë kohë që ka përfunduar së ndërtuari.