E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i drogës, pranga shitësve dhe kultivuesve

Policia ka vënë në pranga 5 shtetas nga Kuçova dhe Fieri, ndërsa 6 të tjerë janë ende në kërkim

BERAT - Pesë vetë janë vënë në pranga, ndërsa gjashtë të tjerë janë në kërkim për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Gjithashtu, një punonjës i policisë rrugore është pezulluar nga puna për shkak se ishte i afërm me dy nga të arrestuarit.

Burimet zyrtare të policisë shprehen se pesë të prangosurit janë Joan Çuko nga qyteti i Fierit, Ardian Tabaku banues në Kuçovë, Elvis Aliaj, banues në Fier, si dhe Estref e Ndriçim Kaçi, at e bir, banorë në lagjen "11 Janari" në Kuçovë. Të pesë këta persona akuzohen nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Berat për veprën penale të "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike".


Sipas burimeve zyrtare të policisë, për realizimin e këtij aksioni është dashur një punë hetimore 1-mujore ku është siguruar dokumentimi ligjor i veprimtarisë kriminale të grupit në fjalë dhe në momentin e arrestimit janë kapur në flagrancë shtetasit Ndriçim Kaçi dhe Ardian Tabaku nga qyteti i Kuçovës, duke u shitur 44,85 kilogramë kanabis sativa fierakëve Joan Çuko dhe Elvis Aliaj.

Lënda narkotike u kap në mjetin "Range Rover" me targa FR 0971 D, e cila drejtohej nga Joan Çuko. Ky i fundit ka rezistuar me dhunë ndaj ndërhyrjes së policisë dhe në momentin që është ndjekur nga forcat policore, makina e drejtuar prej tij ka dalë nga rruga duke përfunduar në një kanal në fshatin Moravë dhe ka goditur e dëmtuar një nga mjetet e Seksionit të Luftës kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Beratit.


Ndriçim Kaçi dhe Ardian Tabaku nga qyteti i Kuçovës janë furnitorët e dy personave nga Fieri me lëndë narkotike të tipit kanabis sativa, të cilën e kishin strehuar drogën në banesën e Kaçit në lagjen "11 Janari" në Kuçovë.

Informacione të sigurta tregojnë se në banesën në fjalë u gjetën të kultivuara 148 bimë narkotike kanabis sativa, të cilat ishin mbjellë në oborrin e shtëpisë në një serë të improvizuar.

Gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar 1 kg e 284 gr farë me kokrra ngjyrë jeshile, e cila shërben për mbjelljen e lëndës, si dhe 155 fishekë. Pas arrestimit të pesë shtetasve, është vendosur pezullimi nga detyra e shtetasit Arben Kaçi.

Ky i fundit ishte polic në Policinë Rrugore të Beratit, si dhe djalë e vëlla i dy prej të arrestuarve. Megjithëse jetonte në banesë tjetër, fakti që në shtëpinë e babait të tij kultivohej kanabis, ka çuar në pezullimin nga puna.

Ndërkohë, që të pesë personat ndodhen në dhomat e paraburgimit në Komisariatin e Policisë në Berat për t'iu nështruar procedurave të tjera ligjore, nga forcat e policisë po punohet për indentifikimin dhe kapjen e 6 personave të tjerë, të cilët mendohet se janë bashkëpunëtorë në këtë rrjet narkotikësh.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›