Nënat e të ngujuarve, letër Berishës: Ndihmoni fëmijët tanë
22 fëmijë nga Shkodra kanë mbetur të ngujuar pas largimit të tyre nga qendra e trajtimit të fëmijëve në Poliçan
SHKODËR - Nënat nga Shkodra që kanë pasur fëmijët në qendrën e trajtimit të fëmijëve të ngujuar në Poliçan kanë bërë publike një letër të hapur dërguar Kryeministrit Berisha. Ato kërkojnë që shteti të mundësojë ndryshimin e situatës në këtë qendër, në mënyrë që 22 fëmijët e larguar tre muaj më parë të mund të rikthehen dhe të përfundojnë vitin shkollor të ndërprerë në janar.
Në letrën e tyre, nënat e 22 fëmijëve shkodranë të cilët kanë qenë për tre vjet në këtë qendër, publikojnë shkaqet që i bënë ato për të tërhequr fëmijët nga Poliçani. Ato thonë: "Fëmijët i morëm nga kjo qendër, jo vetëm për kushtet e vështira që ato kishin atje pasi fondet e akorduara për ta nuk kishin shkuar në destinacionin e duhur, por edhe për faktin se në krye të kësaj qendre u vendos kryetari i Këshillit Bashkiak të Poliçanit, si dhe për arsye të tjera për të cilat nuk ishim dakord".
Sipas nënave, nëndrejtor u vendos kryetari i këshillit bashkiak të Poliçanit, kujdestare u emërua ish-magazinierja e qendrës, e cila është e paditur në prokurori për abuzime me fondet, kuzhinier u vu personi i larguar nga detyra në këtë qendër për shkelje etike, pasi aty ka dhe vajza adoleshente, si dhe shefe finance u emërua përgjegjësja e punëve sociale në bashki.
Këto emërime, - sipas nënave, - janë bërë për të mbuluar abuzimet e mëparshme me fondet e dhëna për këtë qendër dhe për të vazhduar përsëri vjedhjen e tyre". Në letrën e tyre, nënat e fëmijëve të ngujuar i rendisin Kryeministrit të tjera shkelje, duke kërkuar që ai të mundësojë sa më parë kthimin e fëmijëve të tyre në Poliçan dhe mundësinë e arsimimit. "Ju lutemi, Zoti Kryeministër, na ndihmoni që fëmijët tanë të arsimohen dhe të mos kenë fatin e baballarëve të tyre",- e mbyllin letrën e tyre nënat e të ngujuarve.