Vdekja e 27-vjeçarit, tentoi të vidhte kabllin
ELBASAN - Policia ka zbuluar shkaqet e vdekjes së 27-vjeçarit Blerim Duja dy ditë më parë, ndërsa ka vënë në pranga tre vetë. Burime zyrtare bëjnë të ditur se 4 persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të vjedhin kabllin elektrik të nënstacionit elektrik të ish-ndërmarrjes së Koksit, brenda ish-kombinatit metalurgjik. Teksa kanë tentuar të presin kabllin, Blerim Duja ka rënë në kontakt elektrik duke gjetur vdekjen i karbonizuar.
Policia bën të ditur se janë arrestuar në flagrancë shtetasit Arben Haka, 35 vjeç, me banim në fshatin Bradashesh, Ardjan Rama, 35 vjeç, dhe Sajmir Duja, 24 vjeç, po me banim në Bradashesh. Policia ka sekuestruar në vendin e ngjarjes ku u gjet edhe trupi i të riut, një sopatë dhe një levë hekuri të përdorura nga autorët për vjedhjen e nënstacionit. 3 personat e arrestuar do të përgjigjen për vjedhje të mbetur në tentativë në bashkëpunim. Në këtë tentativë vjedhjeje gjeti vdekjen 27-vjeçari Blerim Duja.