Pranga gjobëvenësit të drejtorit të bankës
Lulëzim Makisti, është arrestuar nga policia me akuzën e kërcënimit për dhënie pasurie. Bashkë me të procedohet edhe nëna e tij
Në muajin shkurt, dyshohet se i arrestuari i kërkoi bankierit 85 mijë euro duke e kërcënuar nëpërmjet një sms-je telefonike
TIRANE- Prangoset gjobëvënësi i Drejtorit egjiptian të një banke të huaj me filial në Shqipëri, Ehab Saad. Lulëzim Makisti, 27 vjeç, banues në Tiranë, djali i pastrueses së drejtorit të Bankës, Esma Makisti, është arrestuar nga policia e kryeqytetit me akuzën e shtrëngimit për dhënie pasurie.
Me 26 prill, Gjykata e Krimeve të Rënda me kërkesë të prokurorisë, kishte vendosur ndaj tij masën e arrestit burg pa afat në mungesë ndërsa ishte identifikuar nga hetuesit si autor i gjobëvënies së bankierit egjiptian. Arrestimi i Makistit, është pohuar zyrtarisht nga policia e Tiranës e cila ka pohuar se arrestimi është kryer gjatë ditës së martë në afërsi të banesës së tij.
Ndërkaq, veç arrestimit të tij, mësohet se prokuroria e Krimeve të Rënda, në të njëtin procedim ka marrë nën hetim edhe nënën e autorit, Esma Makisti.
Kjo e fundit deri pak javë më parë, mësohet se ka punuar në shtëpinë e bankierit egjiptian si pastruese, ku thuajse dinte gjithçka që kishte në banesën e egjiptianit në rrugën "Sulejman Delvina", pranë stadiumit "Selman Stërmasi", në Tiranë.
Për këtë shkak, sipas burimeve të prokurorisë, është proceduar penalisht dhe është marrë nën hetim edhe nëna e të arrestuarit. Ndërkaq kërcënimi ndaj drejtorit të bankës, ndodhi me 27 shkurt të këtij viti me një mesazh në telefon.
"Na dorëzo 85 mijë euro dhe mos lajmëroni policinë. Nëse nuk na jepni paratë dhe nëse lajmëroni policinë do të të vrasim gruan dhe vajzën,- thoshte mesazhi elektronik në telefon.
Hetimi
Në fund të muajit shkurt, drejtori i filialit shqiptar të bankës së huaj në Shqipëri, Ehab Saad, denoncoi në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, se persona të pa identifikuar kishin dërguar një mesazh telefonik në celularin e bashkëshortes së tij.
Sipas kallëzimit të Saad, personi kishte shkruar në mesazhin telefonuik një mesazh kërcënues, ku i kërkohej, që ai t'iu paguante shkruesve të mesazhit, një shumë prej 85 mijë eurosh, shumë e përafërt kjo me rreth 100 milionë lekë të vjetra.
Pas kallëzimit të bankierit të huaj, policia e seksioni përkatës kreu veprimet e zakonshme hetimore ndërsa çështja iu referua Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Pas hetimit të kryer dhe pas marrjes së tabulateve nga kompanitë e telefonisë celulare, prokuroria ngriti dyshimet e para ndërsa hetuesit po kërkonin të zbulonin provat që të çonin tek autori.
Pas disa kombinacionesh, ata arritën të binin në gjurmët e të dyshuarve që shpresonin të bëheshin të pasur me një mesazh telefonik. Më tepër se dy muaj pas denocimit Prokuroria e Krimeve të Rënda, arriti të gjejë prova të mjaftueshme për të arrestuar të dyshuarin, ndërsa të martën atij iu vunë prangat.
Ndërkaq gjatë marrjes së tij në pyetje, nga hetuesit e Krimeve të Rënda, Makisti është munduar të mbajë qëndrime mohuese ndaj kërcënimit që sipas prokurorisë i kishte bërë financierit të huaj. Ndërkaq këmbëngulja e hetuesve e ka vënë me shpatulla pas muri, duke qenë se argumentet mbrojtëse të tij mungonin.
Në këto rrethana hetuesit e Krimeve të Rënda, i kanë komunikuar atij edhe masën e arrestit me burg pa afat me akuzat e shtrëngimit për dhënie pasurie dhe keqpërdorimit të thirrjeve telefonike.
-----------------------------------------------------------------------------
85 mijë euro, i kishte kërkuar nëpërmjet një sms-je telefonike, kërcënuesi bashkëshortes së drejtorit të bankës në telefonin që mbahej nga gruaja e financierit.
Ekstradohet i dënuari me 17 vjet burg
Ekstradohet nga Interpol Tirana një person i dënuar nga Gjykata e Kavajës me 17 vite burg, për krimin e vrasjes me dashje. Gëzim Hoxha, rreth 40 vjeç, me banim në Rrogozhinë, është izoluar mëngjesin e djeshëm në ambientet e burgut 302, në kryeqytet, pas ekstradimit të tij, nga zyra e Interpol- Tiranës. Lajmi është bërë i ditur nga policia e kryeqytetit, sipas të cilës, Hoxha, 40 vjeç, nga qyteti i Rrogozhinës, është ekstraduar, ndërsa më parë ishte shpallur në kërkim për krimin e vrasjes. Për këtë vepër penale, Hoxha, është dënuar nga Gjykata e Kavajës që më datë 18 shtator 2001, e cila e ka cilësuar rastin si vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim. Që nga ky vit ai u ka shpëtuar prangave të policisë duke mos vuajtur dënimin e marrë për akuzën e vrasjes. Ai ishte shpallur në kërkim prej vitesh dhe vetëm dy ditë më parë është ekstraduar nga Interpol Tirana për të kryer dënimin që ka marrë nga Gjykata e Kavajës. Hoxha do të vuajë dënimin e mbetur në Burgun 302 në kryeqytet.